Mblidhen në Durrës ministrat e mbrojtjes së pesë vendeve të rajonit
Ministri serb i mbrojtjes nuk merr pjesë
Rritja e bashkëpunimit rajonal, siguria ndëkombëtare si dhe sfidat dhe pritshmëritë e reja kanë mbledhur në Durrës ministrat e mbrojtjes së vendeve të “Kartës së Adriatikut”. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga 5 vende të rajonit; Bosnje Hercegovinë, Mal i Zi, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëria si vendi mikpritës, si dhe përfaqësuesit më të lartë të Natos. Presidenti i Republikës , Bamir Topi, teksa vlerësoi lart përkushtimin dhe angazhimin e qeverive në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, tha se çështjet e sigurisë rajonale lidhen me standartet më të larta dhe demokratike të vendeve të rajonit. Duke u ndalur në situatën në veriun e Kosovës, presidenti Topi tha se ka politika dhe qarqe që të ardhmen e shikojnë nëpërmjet politikave nacionaliste duke cënuar demokracinë. Ndaj, sipas tij, duhet të bëhet izolimi i ideve që shikojnë vijën ndarëse duke uruar anëtarësimin e Kosovës në Aleancën e Atlantikut. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i pranishëm në takim tha se,- “Shqipëria do të vazhdojë të jetë pjesë aktive e misioneve paqeruajtëse në vendet në konflikt përkrah të gjitha vendeve të Natos, pasi përbën një garanci reale për demokracinë e vendeve të rajonit dhe për çështjet e sigurisë”. Ndërkaq, komandanti i lartë i NATO-s, Xhon Stavridhis, tha se samiti i ministrave si dhe bashkëpunimi midis vendeve të rajonit do të jetë i gjithanshëm. “Sfida e Natos është bashkëpunimi konkret dhe sfida e radhës është mbrojtja inteligjente. Kjo do të thotë mbajtja e pajisjeve ushtarake të shtrenjta në bashkëpunim me disa vende për kursimin e fondeve për perspektivën e Natos në të ardhmen”,- tha Stavridhis. Samiti ministror i “Kartës së Adriatikut” ka dalë me një deklaratë të përbashkët, ku pika kryesore e saj ishte bashkëpunimi rajonal, me projektin “mbrojtja kibernetike”, që nënkupton të bësh më shumë, me më pak buxhet. Pika të tjera të rëndësishme të deklaratës ishin bashkëpunimi deri në fund i vendeve të NATO-s për largimin së bashku, në përfundim të misionit paqëruajtës në Afganistan dhe bashkëpunimi për të mundësuar anëtarësimin në një kohë të shkurtër edhe të Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë në strukturat euroatlantike. Ministri ynë i mbrojtjes, Imami ka thënë se “ne e mirëpresim dhe jemi pro politikës së dyerve të hapura të Natos, ne mbështesim anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në Nato”. Më tej ministri ka pershëndetur edhe progresin që ka bërë Mali i Zi në këtë drejtim. Ndërkaq palët, pavarësisht se nuk ka qenë temë diskutimi Kosova, kanë inkurajuar ministrin e Forcës së sigurisë së Kosovës, Agim Ceku, për zgjidhjen e konfliktit që vijon prej disa muajsh në Veri me dialog. Përsa i përket çështjes së Kosovës së Veriut, ministri Imami tha se nuk ishte temë e drejtëpërdrejtë e takimit diskutimi mbi Kosovën, por çështja e stabilitetit e paqes në rajon dhe në kontinentin europian, mbetet çështje themelore. Imami shtoi se ministrat e pranishëm e inkurajuan ministrin e mbrojtjes së Kosovës që rruga e dialogut është rruga më e mirë për të zgjidhur problemet. Në samitin ministror, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan Arvizu, ishte ftuar edhe Ministri serb i Mbrojtjes, por pala serbe nuk ka marrë pjesë. Në mbyllje të konferencës ministrore, ministri i mbrojtjes, Arben Imani, ka uruar vendet pjesëmarrëse, por në veçanti ministrin e mbrojtjes së Bosnje Hercegovinës për marrjen e drejtimit të “Kartës së Adriatikut A-5”.