Tashmë Karta e Shëndetit mund të merren online, pa qenë e nevojshme për të qëndruar në radhë të gjata te sportelet e qendrave shëndetësore.

Procedurat nisin nga portali qeveritar www.e-albania.al. Në kategorinë “e-shërbime”, janë të gjitha shërbimet shtetërore, që ofrohen online. Komanda e duhur është ‘Gjenerimi i kartës së shëndetit”, ku duhet klikuar mbi butonin ‘hyr’. Portali kërkon plotësimin e të dhënave personale si: emri, mbiemri, atësia, ditëlindja, si dhe kodin e përdoruesit që gjendet në kartën e identitetit. Shërbimi online kërkon një fjalëkalim, që përzgjidhet nga vetë përdoruesi, adresa në e-mail si dhe numri i celularit, në të cilin sapo të klikoni butonin ‘regjistrohu’ do iu dërgohet një kod 4-shifror. Menjëherë pas kësaj, portali ju kërkon vendosjen e këtij kodi, i cili iu lejon vazhdimin e procedurës. Në këtë moment në ekran shfaqet butoni ‘përdor’, pas klikimit të të cilit shfaqet varianti online i kartës tuaj të shëndetit, i cili mund të printohet menjëherë në rast se kartës tuaj aktuale i ka mbaruar afati.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se karta e printuar ka të njëjtën vlerë më atë të emetuar në sportelet e qendrave shëndetësore. Më herët FSDKSH-ja ka bërë me dije se vlefshmëria e librezës shëndetësore është deri në datën 30 prill 2016, ndërkohë që pas kësaj date çdo person duhet të jetë i pajisur me kartë shëndeti për të përfituar shërbimet shëndetësore, që mundësohen prej saj. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se edhe për pajisjen fillestare me këtë dokument, tashmë nuk është më e nevojshme të dorëzoni dokumentet që vërtetojnë gjendjen tuaj (i punësuar, i papunë, pensionist, i sëmurë kronik, etj.) Kjo pasi, vetë sistemi i mundëson operatorit, që të bëjë verifikimin online të të dhënave, pasi ai është i lidhur me zyrat përkatëse. Për shembull për një të papunë, vetë operatori bën verifikimin pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, nëse personi është i regjistruar apo jo, pa qenë e nevojshme që të dorëzohet vërtetimi i papunësisë.