2500 studentët e parë të UAMD-së, që do të pajisen me kartë studenti pritet të përfitojnë skonto në produktet e shportës ushqimore.

Për “DurrësLajm”, kryebashkiakja Emiriana Sako deklaron se për këtë është zhvilluar në bashki edhe një takim me përfaqësues të biznesit, kryesisht supermarkete.

“Karta e studentit është një iniciativë që bashkia Durrës e ka ndërmarrë edhe në buxhet. Duam të nisim shpërndarjen e kartave për 2500 studentët e parë dhe kemi parashikuar që në këtë numër të përfshihen shtresat në nevojë, ata studentë, që kanë vetëm një prind. Kjo kartë do të shërbejë sadopak jo vetëm për aksesin në teatër apo muze, por kemi bërë një takim dhe me sektorin e biznesit, kryesisht ato të supermarketeve, për të pasur skonto në shportën bazike për këta studentë. Me kalimin e viteve synojmë që të gjithë studentët e Durrësit të kenë Kartën e Studentit, sepse është një ndihmë për studentët dhe familjet e tyre”,- tha kryebashkiakja.

Në muajin shkurt të këtij viti, në Ministrinë e Arsimit u nënshkrua marrëveshja mes ministres Evis Kushi dhe kryebashkiakes Sako për kartën e studentit, si dhe delegimin dhe administrimin e kartës nga bashkia Durrës.

Por kur do të nisë shpërndarja e 2500 kartave të para?

“Marrëveshja me Ministrinë e Arsimit është bërë para disa muajsh. Do ta buxhetojmë me buxhetin e bashkisë dhe kjo do të marrë kohën e vet për realizimin teknik, pra blerjen e kartave, Vitin e ardhshëm besoj do të nisim me aplikimin e saj”,- tha Sako.

M.B.