Për të shmangur radhët gjatë rinovimit të kartave të ID edhe për shkak të fluksit që mund të krijohet në fundvit, qytetarët mund të rezervojnë takimin në portalin e-Albania.
Ministria e Brendshme ka publikuar para disa javësh strategjinë që pritet të ndiqet përgjatë muajve të mbetur, për të shmangur radhët e gjata, jo vetëm për pritjen, por edhe shmangien e kontaktit të qytetarëve që mund të përhapë koronavirusin.
Të gjithë qytetarët që kërkojnë të pajisen me karta, fillimisht duhet të blejnë kuponin pranë pikave të Postës Shqiptare, dhe më pas të aplikojnë online përmes portalit e-Albania. Gjatë aplikimit përmes e-Albania, qytetarët përveç të dhënave personale duhet të vendosin dhe numrin e celularit nga ku do të njoftohen për takimin.
Qeveria ka njoftuar më herët se të gjitha ID-ve që u ka përfunduar afati përgjatë muajve të pandemisë u është shtyrë skadenca deri në fund të dhjetorit 2020. Pas kësaj date, kartat e identitetit që u ka mbaruar afati prej dhjetë vitesh nuk mund të përdoren në asnjë institucion e për asnjë shërbim.





