Në fund të vitit 2023, dolën nga qarkullimi gjashtë kartëmonedha të vjetra, të emetuara në vitet 1992-1996.
Qytetarëve iu la afat deri në 31 dhjetor për të këmbyer kartëmonedhat dhe sipas Bankës së Shqipërisë, interesi ishte i lartë.
“Gjatë muajit dhjetor janë këmbyer një numër relativisht i madh i kartëmonedhave. Në numër janë këmbyer afërsisht 2.500 kartëmonedha të cilave u kishte mbaruar kursi ligjor. Interes më të lartë kishte dega jonë në Korçë, Gjirokastra, Lushnjë, Elbasan, Shkodër”, shpjegon Alba Gjoka nga Banka e Shqipërisë.
Banka sqaron se këto kartëmonedha nuk kanë më asnjë vlerë, për këdo që mund t’i zotërojë.
“Duhet të ketë ende akoma kartëmonedha të tilla në qarkullim. Një numër fiks nuk kemi, por mendojmë se duhet të jetë i vogël pasi BSH ka rreth 15 vjet që ka njoftuar që kursi ligjor i këtyre monedhave ka mbaruar kështu që publiku ka pasur 15 vite kohë për t’i këmbyer këto kartëmonedha, besojmë që numri duhet të jetë shumë i ulët i këtyre kartëmonedhave në duart e publikut”.
Banka e Shqipërisë shton se të gjitha kartëmonedhat e tjera do të vijojnë të përdoren si zakonisht për të blerë mallra a shërbime.