Jo të gjithë qytetarët e kanë humbur kënaqësinë që të jep një kartolinë urimi, si për dërguesin ashtu edhe për marrësin per festat e fundvitit. Në qytetin bregdetar të Durrësit, risia e viteve të fundit, urimi nëpërmjet postës elektronike apo rrjeteve sociale, nuk e ka eleminuar këtë element të përhershëm te kësaj feste te bukur Kartolinën e Urimit. Skënder Milaqi është një durrsak i vjetër që e ruan me fanatizëm këtë traditë. Tre kartolina, të treja me pamje nga Durrësi, ka nisur sot me postë tek të afërmit jashtë vendit për t’ju uruar festat. Së bashku me kartolinat edhe nje libër dhuratë që e ka botuar kohët e fundit.

Postierët në anën tjetër thonë se dërguesit më të mëdhenj të këtyre kartolinave mbeten emigrantët, të cilët përshëndesin të afërmit e tyre në atdhe. Posta është vënë në gatishmëri për ta kryer sa më shpejt këtë lloj shërbimi ndaj klientëve të saj këtë prag festash. Në periudhën e lulëzimit te postës elektronike dhe të SMS-ve  u vërejt një rënie e ndjeshme e përdorimit të kartolinave tradicionale të urimit për festën e Vitit të Ri, por faktet tregojnë se në 2 vitet e fundit është rritur në mënyrë të ndjeshme urimi nëpërmjet kartolinave.

K.H.