Duke nisur nga 1 prilli 2025, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Maqedonisë së Veriut me policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” me vlefshmëri njëvjeçare, me çmim të reduktuar prej 50 eurosh.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) njofton se ky vendim është masa e dytë për lehtësimin e lëvizjes ndërkufitare, pas hyrjes në fuqi më 1 shkurt 2025 të policës së sigurimit 1-vjeçar për Malin e Zi.

Polica mund të blihet në të gjitha pikat e shitjes së shoqërive të sigurimit dhe mbulon territorin e Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, qytetarët mund të zgjedhin edhe variantin 15-ditor me çmim 15 euro.

“Kartoni Jeshil” është një dokument sigurimi ndërkombëtar që mbulon përgjegjësinë e drejtuesve të mjeteve me targa shqiptare në rast aksidenti gjatë qarkullimit jashtë vendit. Ky lehtësim synon të ulë kostot dhe të nxisë shkëmbimet ekonomike me vendet fqinje.