Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, duke iu referuar kërkesave të dy subjekteve politike, PD-LSI, të cilat kontestuan rezultatin në Qarkut të Durrësit në zgjedhjet e 25 prillit, vendosi që duke nisur nga ora 10:00 e ditës së nesërme, të nisë procesi i rinumërimit për 108 kuti të këtij qarku.

“Nisur nga analogjia e këtij rasti dhe dakordësia e palëve në këtë proces, në interes të vazhdimësisë të procesit, KAS pranon kërkesën e LSI, duke vendosur procesin e rivlerësimit dhe rinumërimit të 108 kutive të identifikuara pjesë të ankimit. I kërkojmë administratës të marrë masa sa më shpejt për të ndërtuar infrastrukturën dhe tërheqjen e këtyre kutive për të vijuar procesin. Ora 10:00 ditën e nesërme”, tha Bele, relator i KAS në këtë mbledhje.

Për këtë vendim, kanë rënë dakord të gjithë përfaqësuesit e partive politike.

Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Eridian Salianji, u shpreh se është dakort për hapjen e kutive, pasi PS nuk do që mandati i 8-të i fituar në këtë qark të mbetet në dyshim.

“Që mandati i tetë të mos ngelet i dyshuar, ne jemi dakord që kutitë të hapen dhe votat të rinumërohen, sepse jemi të bindur që rezultati nuk do të ndryshojë”, tha Eridian Salianji.

Lëvizja Socialiste për Integrim, e përfaqësuar nga juristi Altin Kaziaj, kërkoi nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, rinumërimin e kutive të Qarkut të Durrësit, me arsyetimin, se një mandat mes kësaj force politike dhe Partisë Socialiste është 204 vota.