Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, ka rrëzuar dhe ka shpallur si të pavlefshme kërkesat ankimore të PD, LSI dhe kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani, për përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Gjirokastrës.

Relatori Ledio Braho tha se të gjitha ankesat janë rrëzuar dhe është lënë në fuqi vendimi i KQZ për zgjedhjet e 25 prillit, me shumicë votash. Kundër kanë votuar vetëm Ledio Braho dhe Elvis Çepa. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe për të mund të bëhet ankim brenda 5 ditësh.

“KAS, me shumicë votash, me vota kundër të Ledio Brahos dhe Elvis Çepa, vendosi:
1- rëzimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga LSI,
2- rrëzimin e kërkesës ankimore të paraqitur nga PD dhe Aleanca për Ndryshim,
3- rrëzimin e kërkesës ankimore nga zoti Kreshnik Merxhani,
4- lënien në fuqi të vendimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”, tha ai.

Ndërkohë, në orën 15.00 të ditës së sotme Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ, do të mblidhet për të vendosur për kërkesat e PD dhe LSI për shpalljen si të pavlefshme të Zgjedhjeve në Qarkun e Beratit. Gjithashtu, në KAS është dhe kërkesa e partive opozitare për përsëritjen e zgjedhjeve në Vlorë.

Partitë opozitare pretendonin se gjatë dhe pas zgjedhjeve ka pasur parregullësi në votim dhe numërim, zgjedhjet në këtë Qark duhet të ribëheshin përsëri. Kjo kërkesë është rrëzuar me shumicë votash nga anëtarët e KAS.