Antonio Kasano, ishte sërish i ftuar në emisionin italian “Tiki Taka”, ku sulmoi direkt Vanda Narën, për situatën e krijuar rreth Ikardit. “Fantantonio”, deklaron se ka një arsye, pse ia hoqën shiritin e kapitenit, e ndër të tjera shprehet se nëse nuk rikthehet të luajë, në qershor duhet të largohet.

“Ajo (Vanda) ka krijuar gjithë këtë trazirë rreth Ikardit, me deklaratat e saj, duke e futur në telashe. Ti flet shumë për formacionin që bën Spaleti, me kë duhet të luajë. Flet nëse duhet të jetë apo jo në fushë Lautaro. Ky është mendimi im, ti i ke krijuar këtë katastrofë. Ka një arsye pse ia hoqën shiritin. Spaleti, Marota, Ausilio, Zhang, nuk janë të gjithë të çmendur. Tani ai nuk po rikthehet.

Edhe unë kam qenë zëvendës kapiten në Romë, pas Totit. Dhe një herë më erdhi në dhomat e zhveshjeve, e më tha se nuk je më zëvendës, sepse nuk isha një shembull. Dhe kishte të drejtë. Më pas, më shpjegoi gjërat që donte, dhe bëri mirë. Edhe me Ikardin, ka një motiv që ndodhi kështu. Nëse nuk rikthehet të luajë, në qershor duhet të largohet” – u shpreh Kasano.