*Shoqërohen 46 persona, ende asnjë gjurmë apo i dyshuar
12 orë pas masakrës që la 3 viktima dhe 7 të plagosur në Elbasan, policia vijon me kontrollet dhe hetimet intensive për autorët e krimit, por ende nuk ka asnjë gjurmë apo diçka konkrete sa i përket identitetit të tyre.
Kontrolli i policisë ka vijuar gjatë gjithë natës nëpër banesa në Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd dhe Gramsh. Uniformat blu kanë kontrolluar automjete me të cilat mund të lëviznin autorët e dyshuar si dhe 150 garazhe makinash në hyrje të pallateve. Policia thotë se janë shoqëruar për verifikim në komisariat 46 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë, por ende asnjë i dyshuar. Në operacion marrin pjesë forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe policia e Elbasanit.
Katër “policët” kanë qëlluar 65 herë mbi personat që ndodheshin në lokal, fakt i konstatuar ky nga grupi hetimor, të cilët kanë sekuestruar në vendin e ngjarjes plot 65 gëzhoja. Gjithashtu në vendngjarje janë sekuestruar 2 armë zjarri automatik, dy krehëra pa fishekë dhe një krehër me 26 fishekë.
Viktimat e kësaj kasaphane mbetën Agron Çapja, Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa të plagosur Arnold Çapja, Ardian Zharri, Fejzulla Çapja, Ferit Muça, Luan Muça, Bujar Reshka dhe Florenc Çapja.





