Navid Akram, 24 vjeç, një nga dy autorët e sulmit terrorist vdekjeprurës në plazhin Bondi të Sidneit gjatë një eventi hebraik të Hanukkah, është zgjuar nga koma. Kështu kanë bërë të ditur burime policore për Sydney Morning Herald. Akram ishte qëlluar dhe plagosur rëndë gjatë sulmit dhe ndodhej në gjendje kritike. Sipas raportimeve, gjendja e tij shëndetësore mbetet ende e paqartë, ndërsa autoritetet australiane nuk kanë dhënë detaje nëse ai është në gjendje të japë dëshmi apo t’i nënshtrohet marrjes në pyetje.
Navid Akram dyshohet se kreu sulmin së bashku me babanë e tij, Sajid Akram, 50 vjeç, i cili u vra nga policia gjatë ndërhyrjes së forcave të sigurisë. Sulmi la të paktën 15 persona të vdekur dhe tronditi rëndë opinionin publik në Australi dhe më gjerë. Autoritetet australiane e kanë cilësuar incidentin si një akt terrorist me motive të qarta antisemite dhe vijojnë hetimet për të zbardhur mënyrën se si u organizua sulmi, si dhe për të verifikuar nëse autorët kishin lidhje me rrjete ekstremiste. Ndërkohë, masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm, veçanërisht për komunitetin hebraik në vend.
Ministria filipinase e Imigracionit njoftoi se Sajid dhe Navid Akram kishin udhëtuar drejt Filipineve në fillim të muajit nëntor dhe më pas ishin nisur nga Manila për në Sidnei në fund të muajit. Duke folur për gazetarët të martën, zëvendësdrejtori i përgjithshëm dhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Filipineve deklaroi se, deri më tani, autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje mes dy burrave dhe grupeve terroriste të njohura.





