Nga Andi Bushati

Fushata për të shpallur Lulzim Bashën tradhëtar të komandantëve të UÇK-së apo agjent në shërbim të Serbisë, tregon shumë më tepër sesa idiotësia sipërfaqësore, korruptimi moral dhe patologjia prej mashtruesish e nismëtarëve të saj.  

Nuk ka dyshim se kjo manovër demagogjike, ku Rama hodhi Taulantin dhe fshehu dorën, dështoi sa hap e mbyll sytë. 

Po të shihje të gjitha studiot kryesore televizive të së hënës, që u morën vetëm me këtë temë të shpikur, as mbrojtësit më të zjarrtë të kryeministrit, nuk u solidarizuan dot me skenarët për zhdukje kasetash dhe pjesemarrje në arrestime. 

Për më tepër edhe nga Kosova, as përfaqësuesit e PDK-së, as kreu i Lidhjes Demokratike, Mustafa, nuk e përkrahën këtë mënyrë bastarde të të bërit politikë, madje theksuan se ajo shkon në dëm të atyre që janë në Hagë.

Qershinë mbi tortë e vendosi një ish-socialist i thekur, ish-deputeti Dashamir Peza, i njohur për miqësinë e tij të hershme me Edi Ramën. 

Me një ndershmëri dhe sens morali që gjendet me pikatore në kohët e sotme, ai çmontoi skenarët e tipit Ramallanica, duke zgjedhur të vërtetën përpara njeriut me të cilin ka ndarë për vite me radhë të njëjtën çati. 

Pra skenari për ta vizatuar Lulzim Bashën si burgosësin e UÇK-së, për llogari të Beogradit, ishte një fëmijë kopil që lindi i vdekur.  

Si i tillë nuk ka më vlerë të merremi me të. Por e rëndësishme është se çfarë dëshmojnë akuzat e artikuluara për profilin e atyre që i ngritën ato. E këtu historia fillon e bëhet interesante.

Sepse thelbi i shigjetimeve ndaj Bashës ishte se ai kishte ndihmuar Gjykatën e Hagës (Rishiheni me sa pathos e shpalli këtë zbulim Taulant Balla në Opinion); Se ai ishte pjesë e strukturës së UMNIK, për të hetuar krimet e luftës në Kosovë; Se ai kishte përkthyer në hetimet për shtëpinë e verdhë, nga ku deri më tani nuk ka rezultuar asnjë e vërtetë për akuzat monstruoze; Se partia e tij, paskësh votuar në Këshillin e Europës një rezolutë ku kërkohej që pretendimet e Dik Martit duheshin zbardhur nga drejtësia; Se ai paskësh ngritur dorën që edhe Shqipëria të kontribuonte në territorin e saj, që e vërteta të dilte në shesh.

Pra teoria konspirative linte të kuptohej se komandantë e UÇK-së gjendeshin sot përpara Gjykatës Speciale edhe prej bashkëpunimit okult të liderit të opozitës.

Por, pyetja është për llogari të kujt e ka bërë këtë Lulzim Basha? Nga që ka qenë i paguar nga Millosheviçi? Se e kanë rekrutuar shërbimet serbe? Ngaqë ka një lidhje okulte me Rusinë, që u vërtetua edhe në kohën e çadrës?

Jo, Lulzim Basha, edhe nëse është ndodhur në të gjitha vendet ku akuzohet se ka qenë, nuk ka bërë asnjë faj. Nëse ka ndihmuar Gjykatën e Hagës, nëse ka punuar për UNMIK-un, nëse dosjet e kaluara në duar prej tij kanë përfunduar në EULEX, i bie që ka shërbyer në ato institucione të ngritura dhe të mbështetura nga ata që çliruan Kosovën. Nga ata që shpunë përpara pavarësinë e saj.

Ironia e gjithë kësaj që po ndodh është se Lulzim Basha po akuzohet si bashkëpunëtor me drejtësinë e ngritur në këmbë nga perëndimorët, pikërisht nga ata që prej pesë vitesh lartësojnë në qiell këtë model drejtësie që po aplikohet me reformën në Shqipëri.

Edi Rama, Taulant Balla, gjithë kryqëtarët e tyre mediatikë, që të nxjerrin sytë po belbëzove qoftë edhe një kritikë për ngrehinën e reformës amerikano- europiane në Tiranë, të quajnë tradhëtar dhe spiun, po bashkëpunove me të njëjtët partnerë në Prishtinë. 

Ata, që ngrejnë në rangun e thënieve të shenjta çdo letër të përendimorëve për të emëruar në mënyra antikushtetuese kryeprokurorin apo gjykatësit kushtetues, e quajnë krim bashkëpunimin në Kosovë me drejtësinë e kërkuar nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Ky është konkluzioni më ulëritës që mund të nxirret mbi dyfytyrësinë, standartet e disafishta dhe propagandën mendjeshkurtër që asnjëherë nuk i nxjerr dot në breg agjitatorët e rilindjes.  

Historia me akuzat ndaj Bashës tregoi edhe njëherë, më së miri, se drejtësinë e ndërkombëtarëve, Rama dhe të tijët e duan për sa kohë e manipulojnë vetë. 

Ajo është një provë e qartë edhe për diplomatët entuziastë apo leshko të Tiranës, për të parë se sa të sinqertë i kanë aleatët që kanë zgjedhur për të çuar përpara projektin e tyre këtu.

Natyrisht, duke pranuar këtë, nuk thuhet automatikisht se drejtësia e importuar nga ndërkombëtarët është perfekte, e ndershme dhe e pa politizuar. Ajo ka shfaqur problemet e saj të thella me dështimet në Kosovë dhe po shkon me galop drejt kësaj rruge edhe këtu.

Por, historia fortunës që u ngrit ndaj liderit të opozitës dhe kryqëzimi i tij se në një periudhë të jetës ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë të ngritura nga perëndimi, na shërbeu si një tjetër pasqyrë për të parë fytyrën e regjimit që kemi: të një bande që s’beson tek asgjë dhe që është e aftë të mashtrojë për gjithçka.

©Lapsi.al