Në mungesë të Moçkës, katërkëndëshin e Teutës e ka mbrojtur portieri i Kombëtares së 21-vjeçarëve, Elhan Kastrati i cili ka bërë një paraqitje të mirë. Ai vlerëson periudhën që po kalon me durrsakët.“Ribashkimi im me Teutën më ka bërë shumë mirë, pasi kam luajtur në disa ndeshje si titullar dhe mund të them se deri diku jam i kënaqur me atë që kam dhënë në fushë, edhe pse ka ende vend për përmirësim. Konkurrenca me Moçkën na ka bërë mirë të dyve, duke qenë se ku ka konkurrencë ka dhe angazhim më të madh. Për mua Moçka është një ndër tre portierët më të mirë të Superiores, edhe pse këtë sezon ka kaluar disa momente jo të mira.

Por kjo nuk ia humbet assesi vlerat që ka. Gara mes lojtarëve është ndier edhe në reparte të tjera, çka ka bërë që secili prej nesh të bëjë maksimumin. Pa dyshim meritë në lojën e skuadrës ka trajneri Magani, i cili së bashku me ndihmësit e tij Dervishin e Kapllanin kanë bërë një punë shumë të mirë”, ka thënë Kastrati.Në fundjavë durrsakët do të presin në shtëpi Luftëtarin, një prej ekipeve më në formë të momentit.“E dimë që do të kemi një ndeshje të vështirë, pasi kundërshtari është i motivuar dhe vjen në Durrës për të marrë pikë. Nëse fitojmë do të jemi në mesin e tabelës dhe larg zonës së rrezikut, që është edhe objektivi ynë. Më pas të shohim se çfarë mund të arrijmë në fund të sezonit.Personalisht, për sa kohë do të jem pjesë e Teutës, do të bëj më të mirën time. Gjithsesi, objektivi im është që të luaj jashtë vendit. Në janar kontaktova me drejtuesit e Peskarës, klub që ka në pronësi kartonin tim dhe me shumë mundësi do të rinovoj kontratën me ta për të qenë pjesë e ekipit. Gjithashtu ka edhe disa pista të tjera, por nuk mund të bëj me dije emra”, ka mbyllur Kastrati.