TIRANË-Kryetari i komunës së Mitrovicës Avni Kastrati ka falënderuar Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, lidhur me vendimin e tij për t’iu bashkuar nismës “Ndihmo dhe ti”, duke akorduar një shumë prej 100 mijë eurosh, për meremetimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës në veri të Mitrovicës dhe kthimin në pronat e tyre, të të gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësie etnike.
Përmes një letre drejtuar Kryebashkiakut Basha, z. Kastrati falenderon Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, duke u shprehur se ndihma e tij, është “një mbështetje tepër inkurajuese për qytetarët që janë, të cilët po jetojnë nëpër strehimore kolektive, që prej përfundimit të luftës në Kosovë, në pamundësi për të rindërtuar shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara në atë kohë' .
"Ndihma juaj për ne ka një kuptim tepër të veçantë, ka një simbolikë që na motivon ne, që të jemi edhe më të përkushtuar për këtë pjesë të Kosovës që ka rrethana specifike”, vlerëson Kastrati.