Në ambientet e organizatës, JETA, kafshët dhe njerëzit (JETA, Tier und Mensch) në Shënvlash të Durrësit po kryhet gjatë këtyre ditëve procesi i sterilizimit dhe kastrimit të qenve dhe maceve të rrugës. Kjo është fushata e katërt që organizata ndërmerr në qytetin bregdetar me ndihmën e veterinerëve dhe vullnetarëve nga Zvicra dhe vende të tjera evropiane.

Rreth 160 kafshë të rrugës po i nënshtrohen procesit të kastrimit dhe sterilizimit në një mjedis steril dhe profesional, duke garantuar mirëqenien e secilit katërputrosh, bën të ditur ndër të tjera dretuesja e organizatës, Xheni Hasanaj.

Në ndihmë të veterinerit të qendrës, Ariel Vasili, kanë ardhur 3 veterinerë të specializuar nga Zvicra, të cilët përgjatë gjithë ditës po ekzaminojnë me kujdes kafshët dhe i përgatisin ata për operacion.

Të gjitha kafshët qëndrojnë për një natë në ambientet e qendrës, për t’u siguruar se ndërhyrja kirurgjikale ka shkuar më së miri dhe më pas rikthehen në liri.

“Së bashku me gruan time vijmë për herë të tretë nga Zvicra për t’u bërë pjesë e këtij projekti në Shqipëri. Këtu tek ju janë problem qentë e rrugës, por projekte të tilla ne kemi zhvilluar edhe në Afrikën e Jugut, Rumani etj. Vijmë këtu në mbështetje të Xhenit për të lehtësuar problematikën që ju keni me kafshët e rrugës.”,– thotë për “Durrëslajm” veterineri zvicerian Andreas Fulk.

Në ambientet e qendrës ishte e pranishme edhe një përfaqësi e bashkisë Durrës për të ndjekur nga afër të gjithë procesin. Kjo vizitë pason takimin e zhvilluar pak ditë më parë mes kryebashkiakes Emiriana Sako dhe përfaqësuesve të organizatave për mbrojtjen e kafshëve, në kuadër të bashkëpunimit për menaxhimin e situatës së qenve endacakë.

Në ambientet e qendrës JETA, kafshët dhe njerëzit qëndrojnë rreth 50 katër putroshë, pjesa më e madhe e të cilëve me probleme, të cilët pritet të adoptohen nga familje evropiane.

M.B.