Grupi nga Katari që aplikoi për të organizuar Kupën e Botës 2022 ka ndërmarrë një fushatë të fshehtë për të sabotuar kundërshtarët në garë. Të paktën kështu pretendon një një prej personave që ka punuar me ta.“Sunday Times”, e cila ka marrë informacionet nga një “bilbilfryrës”, raporton se Katari ka përdorur një agjenci marrëdhëniesh me publikun dhe madje edhe një ish-agjent të CIA-s për të përhapur “fake news” në lidhje me dy pretendetët e tjerë, SHBA dhe Australinë.

Sipas informatorit në fjalë Katari kishte rekrutuar figura publike në këto shtete për të kritikuar aplikimet e tyre në mënyrë që në FIFA të krijohej përshtypja se nuk gjenin mbështetje në shtëpi. Ky veprim bie ndesh me rregulloren e FIFA-s sipas të cilës vendet konkurruese për orgainizimin e një turneu nuk duhet të komentojnë apo të përfshihen në deklarata në lidhje me kundërshtarët e tyre.

Sigurisht që komitetit organizator i Botërorit në Katar i ka hedhur poshtë të gjitha këto pretendime, por sipas informatorit të brendshëm një profesor ekonomie në SHBA është paguar 9 000 dollarë për të shkruajtur një artikull që evidentonte kostot e larta që do të kishte organizimi i Kupës së Botës aty. Githashtu gazetarë dhe blogger të ndryshëm janë rekrutuar për të përhapur histori negative për SHBA-në dhe Australinë.

Madje sabotimi ka shkuar deri aty sa një grup mësuesish në SHBA i kanë kërkuar kongresmenëve që të mos pranojnë organizimin e Botërorit në vendin e tyre pasi paratë do të shpenzoheshin më mirë për të mbështetur sportin nëpër shkollat e vendit.Grupi aplikues i Katarit më parë është akuzuar edhe për korrupsion por pas një hetimi dyvjeçar të nisur nga FIFA pas skandalit Blatter të gjitha akuzat janë hedhur poshtë si të pabazuara.