Katari po kryen kontrolle parandaluese për nivelet e radioaktivitetit në ujërat e Gjirit, pas sulmeve izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha sot se Katari po monitoron me kujdes çdo mundësi kontaminimi radioaktiv në ujërat e Gjirit.
“Po e ndjekim situatën çdo ditë,” deklaroi Majed al-Ansari gjatë një konference për shtyp. “Për momentin nuk kemi arsye për shqetësim, por është e qartë se një përshkallëzim i zgjatur i konfliktit ushtarak do të ketë pasoja të paparashikueshme.”
Ai theksoi se ujërat e Gjirit janë burimi kryesor i ujit për të gjithë ne në rajon.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë të qartë se çdo shënjestër ndaj impianteve bërthamore, të karburantit ose energjetike në këtë rajon do të ketë pasoja të paparashikueshme në Gjirin Persik,” paralajmëroi ai.
Izraeli nisi të premten një sulm të paprecedentë ndaj Iranit, ndaj të cilit Teherani u përgjigj me raketa dhe dronë në territorin izraelit.
Irani ka një central bërthamor në Bushehr, në jug të vendit, pranë bregdetit të Gjirit, i cili sipas Teheranit nuk u godit nga sulmet izraelite. Ndërkohë, objektet për pasurimin e uraniumit, qindra kilometra brenda vendit, u vunë në shënjestër nga Izraeli.
Gjithashtu, një dron izraelit goditi të shtunën një rafineri strategjike të gazit natyror, South Pars, në qytetin portual të Kangan, pranë Bushehr, në Gjirin Persik.
Sipas Majed al-Ansarit, objektet në Katar janë ‘të sigurta’, por ai i përshkroi sulmet izraelite ndaj infrastrukturës energjetike iraniane si ‘të pakujdesshme’.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi të martën se kishte “identifikuar prova të reja për efekte direkte në dhomat nëntokësore” të impiantit për pasurimin e uraniumit Natanz, në Iranin qendror.
Ky impiant ka mbi 10,000 centrifuga për pasurimin e uraniumit, i cili sipas IAEA-s arrin nivelin prej 60%, shumë mbi limitin prej 3.67% të vendosur në marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015.
Pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-së nga kjo marrëveshje në vitin 2018, marrëveshje që i jepte Iranit lehtësime nga sanksionet në këmbim të garancive për natyrën paqësore të programit bërthamor, Teherani gradualisht ka hequr dorë nga angazhimet e tij.