ITALI– “Francesca Pascale ka fituar vetëm një betejë, por në fund Silvio Berlusconi do të martohet me mua”. Kështu ka thënë Katarina Knezevic, 22-vjeçarja ish-miss Mali i Zi. Modelja e bukur ballkanike ka dhënë një intervistë të gjatë për “Il fatto quotidiano”, ku ka “nxjerrë mllefin” për lidhjen mes ish-kryeministrit italian dhe 20-vjeçares Francesca Pascale.

Ajo ka rrëfyer se është ende e dashuruar me Berlusconin. ”Jam ende e dashuruar me të si ditën e parë. Për një burrë si ai do të isha gati të vrisja dhe të vdisja për të”,- ka thënë Katarina.

Ndërkohë për Francesca Pascale, me të cilin Berlusconi ka zyrtarizuar fejesën gjatë një transmetimi televiziv, Katarina ka thënë: “U ndjeva e shkatërruar, por e di që do fitoj. Unë jam ende femra e Silvios. Ai më telefonon shpesh, dashuria jonë është më e madhe se ajo me Pascale. Me Françeskën gjithçka është e sajuar. Asgjë nuk është ashtu siç duket. Është e gjitha fryt i një kontrate. Historia e fejesës së Berlusconi u ndërtua për fushatën elektorale”.

Katarina u përfol për herë të parë në gusht të këtij viti, kur 26-vjeçarja marokene, Imane Fadil, deklaroi në gjyq se Katarina ishte e fejuara e vërtetë e Silvio Berluskonit.