I ftuar në emisionin “Open”, në Top Channel, kryeministri Edi Rama njoftoi se Durrësi do t’i kthehet normalitetit përsa i përket mbetjeve urbane.

Rama sqaroi se brenda javës do të firmoset marrëveshja me bashkinë e Durrësit dhe në këtë mënyrë mbetjet e qytetit bregdetar do të vijnë në landfillin e Sharrës.

“Këto ditë që flasim po bëhet një proces finalizimi e negociimi me bashkinë e Durrësit dhe agjencinë përkatës shtetërore në këtë fushë dhe brenda javës do të kemi një marrëveshje përfundimtare për të lëvizur mbetjet, drejt landfillit të Sharrës në Tiranë.

Situata do të stabilizohet brenda pak ditësh. Na u desh që të rrisnim presionin mbi bashkinë e Durrësit për këtë marrëveshje të rëndësishme. Edhe bashkia në Durrës kishte ngurrim për shkak të mbulimit të kostos së transportit. Javën e ardhshme do të kthehet normaliteti”,- tha Rama.