Pamje të një katastrofe biblike transmetojnë mediet greke prej mëngjesit të së mërkurës, pasi një valë e keqe moti, e quajtur “Euridiki” ka goditur shumë rajone të vendit.
Vetëm në komunën e Mandrës, në perëndim të prefekturës së Athinës, kanë humbur jetën të paktën 15 persona, 5 gra dhe 10 burra, kur ujërat e rrëmbyer, brenda një ore kanë përmbytur dhjetëra shtëpi. Tre persona janë shpallur të humbur, 17 vetë janë plagosur dhe janë çuar në spital, prej të cilëve një në gjendje të rëndë.
Disa banorë janë detyruar të ngjiten në çati, pasi niveli i ujit u rrit ndjeshëm, ndërsa 12 vetë u shpëtuan nga një autobus në një urë.
Specialistët konsiderojnë fenomenin e tejskajshëm si një “bombë meteorologjike”, e cila ka goditur zonat Nea Perama, Megara dhe Elevsina, pranë kryeqytetit grek.
Duke shprehur keqardhjen për viktimat, kryeministri Alexis Tsipras ka shpallur zi kombëtare për të gjithë vendin, ndërsa ka thirrur urgjentisht mbledhjen e qeverisë për të marrë masa urgjente në përballimin e fenomenit.