9 nëntor 2015 – Për gjendjen katastrofike që u krijua dy ditë më parë në bregdetin e Durrësit, ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u shpreh sot se situata po përmirësohet dhe ndotja konsiderohet vetëm sipërfaqësore, ku angazhimi i menjëhershëm i autoriteteve për të pastruar 3 km vijë bregdetare, ka bërë të mundur heqjen e një pjese të rërës së ndotur.

Për kreun e Bujqësisë, është e pavend që kjo ngjarje të politizohet nga opozita, pasi nuk bëhet fjalë për neglizhencë të strukturave ligjore me masa parandaluese, por për njerëz të papërgjegjshëm që duhet të ndëshkohen sa më parë.

“Kjo është një ngjarje kriminale. Në çdo vend të botës ka njerëz të papërgjegjshëm që shpresoj të kapen dhe të vihen para përgjegjësisë. Nuk besoj se flitet për parandalim, por për mënyrë të rrufeshme për të reaguar, pas kjo mund të ndodhë në çdo vend me struktura ligjore të mirëpërcaktuara. Rasti ku nuk ja vlen të bëhet politikë është ky, opozita do bëjë punën e saj, por nuk është ky rasti. Raste të ngjashme me dimensione shumë të mëdha kanë ndodhur edhe më parë dhe në vende të tjera të botës, si në Teksas ku forcat politike u mobilizuan”, tha Panariti.

Sa i përket çështjes së pezullimit të peshkimit, Panariti sqaroi se ky vendim është marrë vetëm për peshkimin amator në bregdet dhe jo atë në thellësitë e detit. Ndërsa pezullimi i peshkimit është ende në fuqi, ministri i Bujqësisë tha se priten analizat e molusqeve për të parë se si do të veprohet më tej. Për të garantuar siguri të plotë, ministri shtoi se janë marrë mostra edhe nga fundi i detit për t’u analizuar.

/S.L. portali DurresLajm/