8 nëntor 2015 – Reagimet e kundërreagimet nga strukturat e shtetit kanë qenë të shumta. Në sektorin Hekurudha deputeti i PD-së për Durrësin Oerd Bylykbashi, hodhi akuza mjaft të rënda ndaj strukturave të shtetit. Edhe kreu i PD-së Osman Stafa e konsideroi të qëllimshme ndotjen e bregdetit, dhe i bëri thirrje prokurorisë që të gjejë shkaktarët.

“U bënë 24 orë nga ky krim ambiental që dënohet nga kodi penal, dhe situata është mjaft e rëndë. Jemi përpara një menaxhimi mjaft skandaloz të strukturave qeveritare. Ligji parashikon që të merren masa e të ngrihej menjëherë komiteti i emergjencave në nivel bashkie e në nivel prefekture. Deri tani nuk është ngritur asnjë komitet, dhe nuk është marrë asnjë masë.

Nuk mund të pastrohet nafta me disa lopata nga punonjësit, sepse krimi i ndodhur nuk mund të fshihet në këtë mënyrë. Bregu i detit dhe uji janë të ndotur, dhe nuk po merret asnjë masë konkrete. Ne si depuetë të PD-së do ta çojmë këtë çështje edhe më lart”, tha ndër të tjera Bylykbashi.   

Ndërsa, Osman Stafa midis të tjerash tha se “kjo është pasojë e skenareve të pista e luftës së brendshme për interesa të caktuara të pushtetit qendror dhe vendor, mbi ndotjen që u realizua me qëllim dje. Kjo ishte dhurata e fundit e kësaj qeverie për të menaxhuar pushtetin. Ky është krimi i fundit që i bëjnë turizimit në Durrës. PD i bën thirrje prokurorisë të nisë urgjent hetimet për zbardhjen e krimit.”

/K.H. portali DurresLajm/