Moti i keq dhe stuhia “Erminio” në Greqi goditi shumë zona të vendit me ashpërsi, duke shkaktuar dëme dhe shkatërrime serioze, duke lënë pas një humbje njerëzore, një burrë në zonën e Nea Makri.

Fenomeni ishte veçanërisht intensiv në pellgun e Atikës (Athinë), me probleme të shumta të regjistruara në rrugën pranë Marathonos në hyrje të Kallitechnopolis.

“Protothema” raportoi se dëmet ishin të shumta dhe u regjistrua edhe një viktimë. Një gropë e madhe është hapur në mes të rrugës. Autoritetet e kanë mbyllur tashmë rrugën derisa të riparohet.

Viktima e motit të keq ishte një shtetas polak në zonën Nea Makri, që u rrëmbye nga ujërat si pasojë e përmbytjeve.

Konkretisht, përroi që kalonte nëpër zonë e preu rrugën përgjysmë, duke shkaktuar dëme serioze dhe duke e bërë të pamundur kalimin. Njëkohësisht, pati dëme në tubacionin e furnizimit me ujë, duke rezultuar në mungesë uji në zonat përreth.

Në të njëjtën kohë, në Nea Makri, Rruga Roumelis është përmbytur me ton gurë dhe mbeturina, me ekipet e Bashkisë që punojnë pa ndërprerje për të hequr materialet. Gjithashtu, automjetet e zjarrfikësve po pompojnë vazhdimisht ujë nga shtëpitë e përmbytura , duke u përpjekur të kufizojnë dëmet.

Mbrëmë, për shkak të reshjeve të dendura të shiut, rrugët u shndërruan në lumenj, ndërsa edhe mali u ul, duke e mbushur zonën me gurë dhe dhera.