Princesha e Uellsit, Kate gruaja 42-vjeçare e trashëgimtarit të fronit William, theu heshtjen për gjendjen e saj shëndetësore në një video të përzemërt drejtuar kombit – dy muaj pas operacionit misterioz në bark në Klinikën e Londrës dhe javë të tëra spekulime dhe teori konspirative – për të njoftuar se ajo po lufton në mënyrë dramatike me një tumor, ashtu si mbreti Charles III, 75 vjeç, i cili muajin e kaluar u kishte zbuluar të njëjtën diagnozë shtetasve të tij dhe botës.

Fjalët e saj kanë prekur zemrat dhe emocionet e të gjithëve, siç dëshmohet nga reagimet fillestare të shumë njerëzve, përfshirë udhëheqësit e Mbretërisë, si dhe të kombeve të tjera.

Ndërkohë nga SHBA, sipas tabloidit Page Six, ka bërë jehonë lajmi dhe në solidaritet me Kate është edhe Princi Harry dhe Meghan, të cilët i kanë dërguar urimet e tyre “shëndet dhe shërim” Katerinës, Princeshës së Uellsit.

“I urojmë shëndet dhe shërim Kate dhe familjes dhe shpresojmë që kjo të ndodhë në privatësi dhe në paqe”, tha Duka dhe Dukesha e Sussex në një deklaratë.