Pas një kalendari intensiv ndeshjesh përgjatë të cilit janë aktivizuar çdo 4 ditë për thuajse dy javë, protagonistët e Kategorisë Superiore do të kenë mundësinë për të “marrë frymë”.

Përveç mungesës së impenjimeve këtë mesjavë, natyrisht me përjashtim të Skënderbeut që luan në Europa League, skuadrave të Kategorisë Superiore mund t’i shkojë për shtat edhe fakti se FSHF ka vendosur ta shtrijë në 3 ditë javën e 16-të, me institucionin e futbollit që ka zyrtarizuar kalendarin e këtij raundi në faqen e tij në internet.

Të shtunën e ardhshme do të luhen tre takime, me Kukësin që zbret në fushën e Laçit në stadiumin kurbinas në orën 14:00, ndërsa në të njëjtin orar do të zhvillohet edhe dueli i drejtpërdrejtë i mbijetesës mes Vllaznisë dhe Tërbunit në fushën Reshit Rusi. Më pas, në orën 17:00 është radha e kryesuesve të Partizanit që përballen në Qemal Stafa me Bylisin.

Të dielën është radha e Tiranës që ndeshet në transfertë me Flamurtarin në orën 14:00, ndërsa Skënderbeu që luan të enjten ndaj Lokomotivës së Moskës do të rikthehet në Superiore sërish të hënën kur do të përballet në “Niko Dovana” me Teutën nën dritën e prozhektorëve në orën 17:00.