Katër barazime dhe një fitore e skuadrës pritëse. Verdiktet e e javës së 23-të të kategorisë superiore thuasje ruajtën të njëjtën renditje, me ndryshimin e vetëm që ka ngjeshje të skuadrave në zonën e ftohtë por edhe për vendin e tretë, cka e nxeh edhe më shumë garën për objektiva të ndryshme sezonale.Përsa i përket garës për titull, diferenca mes Skënderbeut dhe Partizanit mbetet katër pikë, pasi asnjëra nga dy skuadrat kryesuese, nuk arriti të merrte maksimumin. Kampionët në fuqi barazuan 1-1 në fushën e Bylisit, ku të dy golat u shënuan me 11-metërsh, ndërsa sfida e Pukës mes Tërbunit dhe Partizanit përfundoi me rrjeta të paprekura. Skuadra që përfitoi më shumë në këtë javë ishte Kukësi, që shkatërroi 4-0 Flamurtarin në “Zeqir Ymeri”. Nënkampionët e Shqipërisë vazhdojnë të klasifikohen në vendin e pestë, por diferenca me Tiranën dhe Teutën, që barazuan 0-0 në sfidën mes tyre në “Selamn Stërmasi” është ngushtuar në 4 dhe 3 pikë. Verilindorët, për të cilët synimi kryesor është Kupae Shqipërisë, mund ta arrijnë Europën edhe nëpërmjet vendin të tretë.

Gara më e ashpër zhvillohet në fundin e tabelës, aty ku Bylisi ka rrëshkitur në vendin e parafundit vetëm falë rezultateve në sfidat direkte me Vllazninë dhe Flamurtarin, pasi të trija skuadra kanë të njëjtën kuotë pikësh, 20. Për momentin vetëm Laci që ka grumbulluar 29 pikë duket se po zhvillon një kampionat më vete, pa objetiva konkretë në kampionat, pasi renditet larg zonës së ftohtë por edhe i distancuar ndjeshëm nga Tirana e vendit të tretë. Për skuadrën kurbinase fokusi është te Kupa e Shqipërisë, si mundësi më reale për të luajtur në Europë sezonin e ardhshëm.