Tiranë, 3 shtator 2014 – Kampionati ndal hapin për shkak të ndeshjes eliminatore të kombëtares shqiptare, pas vetëm dy javë të luajtura në fushë. 180 minutat e para të edicionit 76 të kampionatit shqiptar kanë dhuruar gjithçka që pritej, spektakël, gola, tension dhe mbi të gjitha rikthimin e tifozëve në stadiume. Kukësi, Tirana dhe Skënderbeu kanë justifikuar deri në këtë moment pritshmëritë ndaj tyre pasi kanë marrë pikët e plota, ndërsa Flamurtari ka ulur ritmin duke akuzuar dhe gjykimin në sfidën direkte me Tiranën. Por gjithçka ka ndodhur është brenda pritshmërive dhe pauza e kampionatit mund ti shërbejë jo vetëm vlonjatëve por edhe Partizanit, që në dy javët e para ka marrë vetëm një pikë. Në 10 ndeshjet e zhvilluara janë shënuar 20 gola me një mesatare 2 gola për ndeshje, teksa në realizimin e golave janë evidentuar sulmuesit, gjë që në edicionin e kaluar i ka munguar shumë kampionatit.
Janë 4 skuadra që nuk e njohin fitoren në dy javët e para, Partizani, Laçi, Teuta dhe Elbasani. Madje këta të fundit ende nuk kanë shënuar golin e parë këtë edicion të rikthimit të tyre në Superiore. Interesant është fakti që fitorja e Vllaznisë ndaj Teutës i shërbeu shkodranëve për të dalë në sipërfaqe, duke qenë se e nisën kampionatin me -3 pikë. Ndalesa duket ti shkojë për shtat skuadrave që ende nuk kanë marrë atë që pritej, si Partizani, Laçi, Teuta dhe Elbasani. Përsa i përket masave disiplinore nuk mungojnë kartonat e kuq, të cilët u regjistruan në javën e dytë. Tre prej tyre në supersfidën Tirana-Flamurtari me Ndikumanën, Veliun dhe portierin Bakaj, ndërsa u ndëshkua edhe qendërmbrojtësi i Partizanit Dishliev në transfertën fierake. Gjithashtu për tu veçuar janë edhe kartonat e verdhë të marrë nga futbollistët Shala e Beqiri të Vllaznisë, Teqja dhe Veliaj të Lacit, Curri i Tiranës dhe Batha i Partizanit, pasi janë ndëshkuar në të dyja ndeshjet e para, duke qenë vetëm një karton larg pezullimit për një ndeshje. Ndërkohë notat maksimale në këtë start të sezonit marrin tifozeritë, të cilat kanë sfiduar vapën për të qenë të shumtë në numër në mbështetje të skuadrave të tyre, si në shtëpi ashtu edhe në transferta.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





