Nuk është vetëm rivaliteti për kreun apo lufta për mbijetesë dhe zona europiane që e bëjnë interesant këtë sezon të Kategorisë Superiore. Statistikat interesante paraqesin një tjetër fytyrë të kampionatit shqiptar. Lojtarët janë protagonistët e vërtetë të këtij sezoni, me pikat e tyre të forta dhe të dobëta apo rekordet individuale, që dashur pa dashur i kanë bërë protagonistë të dy pjesëve të para të sezonit. Nëse nisemi nga eksperienca, padyshim që Orges Shehi është një nga veteranët e këtij kampionati. Gardiani korçar është lojtari më më i vjetër në moshë me 38 vite, 2 muaj e 11 ditë, ndërsa në krahun tjetër qëndron mesfushori i Flamurtarit, Arbri Beqaj. Ai është lojtari më i ri i aktivizuar gjatë dy fazave të para me moshën 17 vjeç, 1 muaj e 2 ditë.

Qëndrojmë sërish në Vlorë ku një lojtar i Flamurtarit mban rekordin e kartonëve. Plot 6 të verdhë numëron mesfushori Bruno Telushi në 11 ndeshje të luajtura ku nuk i ka shpëtuar as një të kuqi. Futbollistët që kanë shënuar autogol janë katër, Franc Veliu, Ardi Qejvani, Ivan Fushtar dhe Ditmar Bicaj, ndërsa Stipe Buljan ka shënuar plot 3 herë në portën e tij. Listën e lojtarëve që kanë shënuar më shumë gola kur kanë hyrë si zëvendësues e kryeson bomberi i Partizanit, Xhevahir Sukaj me 2 realizime personale në 3 takime që është aktivizuar nga stoli, ndërsa James Adeni, Brunild Pepa dhe Erik Flores janë tre futbollistët e vetëm që kanë gabuar nga pika e bardhë e 11 metërshit. Sulmuesi që ka shënuar më shumë gola në transfertë është Hamdi Salihi me 6 realizime nga 14 që numëron në total deri në muajin Dhjetor. Një miks lojtarësh dhe statistikash që e bëjnë këtë sezon edhe më shumëngjyrësh për futbollin shqiptar që po e shton dozën e emocioneve nëpërmjet atyre që janë protagonistët e vërtetë, lojtarët në fushën e blertë.