“Mix up everything” ose në një përthim të përshtatur “pak nga të gjitha”.
Kështu quhet grupi muzikor i përbërë nga katër djemë, të gjithë më kaçurrela të gjata, të veshur stil, me sy plot shkëlqim dhe me një buzëqeshje të madhe në fytyrë, që duket se vibrojnë një tjetër energji në qytet.
Ata janë Todd, Koby, Kevin dhe Blake Dhima, gjysmë australian nga mamaja dhe gjysmë durrsak nga babai i tyre, Ardi.
Në një rrëfim të veçantë për “DurrësLajm” ata sqarojnë se e kujt ishte ideja për të krijuar grupin, për t’i vendosur këtë emër apo emocionet nga koncertet më të fundit në Belgjik dhe Gjermani.
Është vëllai i madh Todd, ose ndryshe vokalisti i grupit që kthehet pas tek zanafillat e këtij bashkëpunimi artistik në familje.
“Mendoj se ideja ka qenë e imja, por ndoshta dhe pak e të gjithëve…Unë kam qenë 5 vjeç kur kam filluar të këndoj, por ka qenë Kevin ai që ka filluar të luaj instrumentin e parë. Kevin i bie baterisë, dhe ishte po ai që i vuri dhe emrin grupit.”
“Mix Up Everything” deri më tani kanë nxjerrë dy albume, një të regjistruar në Australi dhe një në Belgjikë. Përpara një muaji kanë nxjerrë këngën më të re të titulluar “The Bike” që është versioni anglisht i këngës “Biçikleta” kënduar në origjinal nga Françesk Radi.
Synimi i tyre i guximshëm është Amerika, deri atëherë djemtë i kemi në qytet…
H.H.