Lidhur me grabitjen e një marketi ditën e sotme në Lezhë, uniformat blu kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa burime pranë tyre bëjnë me dije për Report TV se katër grabitësit dyshohet të jenë autorët e një grabitjeje tjetër të ndodhur po mëngjesin e sotëm në zonën e Fushë-Krujës.

Edhe atje, katër persona kanë tentuar të grabisin një pikë të këmbimit valutor. Pika e Exchange ndodhej në qendër të qytetit, çka ka bërë që policia të mbërrijë menjëherë në vendin e ngjarjes. Në këtë mënyrë, autorët janë larguar pa mundur të marrin asgjë.

Për të dyja grabitjet, policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar ose që mund të kenë dijeni për ngjarjet, por që deri tani nuk ka asnjë të arrestuar. /Shqiptarja.com/