Lorenco Vila trembi jo pak stafin e Teutës në ndeshjen e luajtur të martën ndaj Luzit. Sulmuesi i krahut u fut në fushë në minutën e 60-të dhe më pas u zëvendësua në të 72-ën, duke dalë i dëmtuar nga loja. Durrsaku njihet për agresivitetin e tij në fushë dhe shpeshherë nuk ka frikë të fusë kokën aty ku të tjerët hezitojnë të fusin këmbët.
Një krosim në zonë bëri që Vila të goditej në kokë nga mbrojtësi i Luzit, Hoxha, pikërisht në momentin kur donte të dërgonte topin në rrjetë. Menjëherë lojtari mori ndihmën e stafit mjekësor dhe pas 4 qepjeve në kokë, gjendja e tij u stabilizua.
Dje sulmuesi u shfaq i buzëqeshur në stërvitjen e Teutës dhe shkurtimisht sqaroi: “Jam mirë pas dëmtimit që pësova. Besoj se do të jem në fushë ndaj Egnatias të shtunën”. Kësisoj, trajneri Bledi Shkëmbi pret që sulmuesin ta ketë në dispozicion në këtë transfertë delikate.Kualifikimi në Kupë mund t’i shërbejë shumë Teutës në këtë moment delikat që po kalon. Blutë e kanë nisur jo mirë këtë sezon, teksa ende nuk kanë siguruar fitoren e parë në Superiore.
Tri humbje dhe katër barazime në këto shtatë javë kanë zhgënjyer jo pak klubin, që gjithsesi shpreson se ky grup lojtarësh do të reflektojë shpejt, duke nisur që nga transferta e së shtunës në Rrogozhinë.
Fitorja ndaj Luzit të Kategorisë së Parë është një bonus moral për të funksionuar sërish në kampionat.Në seancën e djeshme kanë qenë të gjithë lojtarët nën urdhrat e Shkëmbit, me përjashtim të qendërmbrojtësit Harrallamb Qaqi, që po punon në mënyrë individuale për t’u riaftësuar nga dëmtimi.Lajm i mirë për stafin është se lojtarët e tjerë që kanë pasur probleme fizike si Artan Jazxhi, Arbër Çyrbja dhe Ildi Gruda, janë rikthyer të gatshëm dhe morën minuta në ndeshjet e fundit ndaj Luzit dhe Kastriotit.
Gjatë së mërkurës, skuadra ka punuar më së shumti në pjesën taktike. Forma e mirë që mesfushori Erando Karabeci ka shfaqur së fundmi, duke shënuar edhe dy gola mjaft të bukur, por edhe zhbllokimi i sulmuesit Rubin Hebaj, shpresohet që të motivojë edhe pjesën tjetër të grupit.Vlen të theksohet se Egantia ishte një skuadër fatsjellëse për Teutën në sezonin e kaluar dhe kthesa pritet pikërisht ndaj tyre.