Brazil, 6 korrik 2014 – Brazil 2014 nuk mund të dhuronte dy gjysmëfinale më të bukura, se Brazil-Gjermani dhe Argjentinë-Holandë, me katër gjigandë të futbollit botëror që do të luajnë tashmë për një vend në finalen e Maracana-s me njëri-tjetrin e miliarda sy në mbarë globin që do të presin të shohin magjinë e radhës nga kampionët e tyre. Plot 10 tituj botëror do të jenë në fushë në këto dy sfida, më shumë se gjysma e kompeticioneve të luajtura deri tani, dhe tre kampionë bote, me Holandën, e cila nga ana e saj kërkon të shkruajë emrin për herë të parë në histori. Dy amerikano-jugore përballë dy skuadrave europiane, një barazpeshë e plotë mes dy kontinenteve që në futboll rivalizojnë për gjithçka. Takimi i parë gjysmëfinal do të luhet në Belo Horizonte, mes Brazilit organizator dhe Gjermanisë, dy skuadra që pothuajse kanë qenë të barabarta në gjithçka deri në këtë fazë. Fati megjithatë duket sikur është rreshtuar kundër Selesaos, që në sfidën më të rëndësishme në këtë Botëror deri në këto momente nuk do të ketë shërbimet e Neymar që e mbylli Botërorin e tij, por gjithashtu dhe të Willian, që pësoi një dëmtim në shpinë në stërvitje dhe që shikohej nga të gjithë si zëvendësuesi i tij. Ndërsa në mbrojtje do të mungojë për shkak kartonash kapiteni Thiago Silva, që konsiderohet nga të gjithë një prej pikave më të forta të Selesaos.

Në ndeshjen me Kolumbinë Brazili u duk se u rikthye në identitet duke luajtur më në fund një futboll tërheqës, ndërsa Gjermania nga ana e saj sfidën më të mirë të këtij Botërori e ka luajtur me Portugalinë, ndërsa me Francën u shfaq shumë pragmatiste. Të dyja ekipet mbërritën në gjysmëfinale me gola të lojtarëve mbrojtës, Brazili me ato të Thiago Silvës e Luiz ndërsa gjermanët me atë të Mat Hummels. Statistikat flasin ndjeshëm në favor të Selesaos që ka fituar 12 nga 21 përballje, pesë kanë përfunduar në barazim ndërsa katër janë fituar nga gjermanët. Janë dy përfaqësueset e vetme që kanë arritur tre herë radhazi në finale, Gjermania nga 1982 deri në vitin 1990 duke ja lënë më pas stafetën Brazilit nga 1994 deri në 2002. Deri në këto momente kanë gjithçka të barabartë në shifrat e fushës, duke realizuar të dyja nga 10 gola, e duke pasur një saktësi në goditjen e portës në 70 përqind. Në një Botëror janë ndeshur vetëm njëherë në vitin 2002 dhe asokohe Selesao fitoi 2-0 me dy gola të Ronaldos duke rrëmbyer dhe titullin e pestë. Pavarësisht mungesave vështirë se mund të japësh një parashikim se cila prej këtyre dy përfaqësueseve do të jetë në finalen e Maracanas.

Në gjysmëfinalen tjetër do të përballen dy skuadra që vuajtën shumë për të arritur aty, Argjentina dhe Holanda. Te La Seleccion më në fund u zhbllokua Higuain, ndërsa Messi sërish u shfaq vendimtar dhe mund të jetë futbollisti që mund të vendosë një sfidë të madhe. Skuadra e Sabellas i ka fituar të gjitha takimet deri në këto momente me diferencë të vetëm një goli. Mungonte në një gjysmëfinale që prej vitit 1990 dhe në tre rastet e fundit që kishte kaluar grupin ishte eleminuar gjithmonë në çerekfinale, në 1998 madje nga vetë Holanda që e mundi 2-1. Askush nuk kishte dyshuar në kualifikimin e portokallinjve përballë Kosta Rikës por mënyra sesi ajo u arrit ishte e papritur, nga pika e bardhë dhe me portierin rezervë, Krul, që hyri në fushë si zëvendësues vetëm për të pritur penalltitë. Një lëvizje gjeniale nga ana e Van Gaal, por që gjithsesi deri në këto çaste e ka lënë Holandën me vetëm një alternativë sulmuese, top te Robben dhe më pas e zgjidh ai. Kur ky i fundit mbulohet mirë si në rastin e kostarikanëve atëherë gjithçka bëhet e vështirë. Në Botëror, dy skuadrat janë përballur dhe në finalen e 1978 në Buenos Ajres, me Argjentinën që fitonte titullin e parë botëror në kohën shtesë. Dhe këtë herë do të luhet sërish në kontinentin amerikano-jugor, por Holandezët shpresojnë që historia të ketë një tjetër fund.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/