Katër spitale private janë bastisur muajt e fundit në Prishtinë nën dyshimin se aty janë transplantuar organe dhe qeliza njerëzore të jashtëligjshme. Inspektorati shëndetësor ua ka ndërprerë përkohësisht punën këtyre reparteve brenda spitaleve.

Nora Krasniqi, ushtruese e detyrës së kryeinspektorit shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë inspektimeve në këto spitale private, kanë hasur në veprimtari të kundërligjshme, gjë që ka ndikuar që reparteve të caktuara brenda spitaleve t’iu ndërpritet puna përkohësisht, derisa materiali i ngrirë, pra qelizat njerëzore, janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Klinikën Gjinekologjike për t'u ruajtur.

“Inspektorati shëndetësor, së bashku me Policinë e Kosovës, ka kryer inspektime në disa spitale private shëndetësore të licencuara për ofrimin e shërbimeve nga fusha e fertilizimit mjekësor. Qëllimi i inspektimeve ka qenë mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për shëndetin riprodhues. Në këto institucione janë konstatuar shkelje të Ligjit për shëndetin riprodhues në bazë të të cilit, Inspektorati shëndetësor ka shqiptuar masën e ndërprerjes së përkohshme të ushtrimit të veprimtarisë në këto institucione”, tha Krasniqi, informon REL. 

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka vendosur masa të tjera ndaj personelit shëndetësor në këto shërbime në përputhje me rregullativën ligjore të Policisë.

Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës tha se Departamenti i Hetimeve të Trafikimit me Qenie Njerëzore, gjatë inspektimit në spitale private, ka hasur në vepra penale, transplantim i kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore.

Lidhur me këtë janë arrestuar 17 persona nën dyshimin e veprave të lartcekura, ku në mesin e tyre, përpos shtetasve kosovarë, ka pasur edhe nacionalitete të tjera.

Rasti ka të bëjë me klinika private ku dyshohet për kryerje të veprave penale të transplantimit të kundërligjshëm dhe trafikim i organeve dhe qelizave njerëzore, bashkëkryerje dhe trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor. Në këto raste, të ndara, janë të dyshuar gjithsej 17 persona. Këto raste janë realizuar në bashkëpunim me Inspektoratin shëndetësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me vendim të inspektorëve janë mbyllur repartet e IVF-së. Ndaj të dyshuarve është ngritur kallëzim penal dhe rasti është duke u hetuar”, bëri të ditur Kelani, raporton REL