Katër persona janë ndaluar për vrasjen në Shkodër të Ramazan Matajt.

I dyshuari kryesor për vrasjen është Arjan Hasaj. Një prej të ndaluarve është kapur në pikën kufitare, teksa tentonte të largohej nga Shqipëria.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e krimit dhe përfshirjen e të dyshuarve.

33-vjeçari Ramazan Mataj u qëllua me breshëri plumbash brenda makinës së tij tip “Benz” dhe më pas u gjet nga kalimtarët e rastit, banorë të fshatit Dragoç të dielën.

Autorët dyshohet se e kanë ruajtur Matajn gjatë natës dhe në momentin që ka dalë në rrugën kryesore të fshatit e kanë qëlluar duke e lënë të vdekur.

Ishin banorët që panë 33-vjeçarin e pajetë brenda automjetit dhe kanë lajmëruar policinë e cila është nisur drejt vendit të ngjarjes.

Sipas informacioneve, ai ka qëndruar në Belgjikë, aty ku aktualisht ndodhet edhe vëllai dhe prej një viti ishte kthyer në Shqipëri.

Mataj ka bërë punë ditore në ndërtim në Mal të Zi dhe nuk rezulton të ketë precedent penalë.