Çështja e Fredi Belerit dhe insistimi i Greqisë për t’u lejuar të betohet si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, vijon të shkaktojë bllokime për Shqipërinë.

Së fundmi, Greqia ka bllokuar lidhjen e një marrëveshjeje mes BE-së dhe Shqipërisë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Pak ditë më parë në Bruksel u mbajt një takim në nivel teknik me synim lidhjen e disa marrëveshjeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë brenda BE-së, por dhe me shtete të tjera jashtë unionit, përkatësisht me Kanadanë, Japoninë, Ganën, Moldavinë, Norvegjinë dhe Korenë e Jugut.

E përditshmja greke “Kathimerini” raporton se pala greke ka shprehur kundërshtime për Shqipërinë. Dhe për këtë, Greqia tha se së pari Shqipëria duhet të garantojë respektimin e shtetit të së drejtës.

Në këtë kontekst, Greqia kundërpropozoi që shteti më i përshtatshëm, që është dhe aspirant për të hyrë në BE, për të lidhur një marrëveshje në fushën e mbrojtjes me Bashkimin Europian, të jetë Maqedonia e Veriut.

“Ka treguar performancë më të mirë në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa standarizimi i Forcave të Armatosura sipas standartit perëndimor ka përparuar me ritëm jashtëzakonisht të shpejtë”, shkruan Kathimerini duke pasqyruar qëndrimin e palës greke në takimin e Brukselit.

Megjithatë, propozimi i Greqisë për Maqedoninë e Veriut nuk u pranua. Por edhe çështja për Shqipërinë nuk u vazhdua më tej, edhe pse, sipas “Kathimerini”, Italia shprehu mbështetje shumë të fortë për Tiranën zyrtare.

E në këtë pikë pati dhe përplasje mes Greqisë dhe Italisë për shkak të qëndrimit të palëve dhe mbështetjes që Italia po i jep Shqipërisë.

Partneritetet e BE-së me vende të treta janë pjesë e një plani të Brukselit të quajtur strategjia e Europës 2030.