Greqi, 7 qershor 2014 – Gazetari grek, njohës i çështjeve të Ballkanit, Stavros Ximas, shkruan në editorialin e tij në “Kathimerini” se “Greqia është një nga të paktat vende, bashkë me Italinë dhe Austrinë, që e do me të vërtetë Shqipërinë në familjen evropiane dhe përpiqet me sa ka mundësi që ta ndihmojë atë”.
Megjithatë, shkruan Ximas, udhëheqja politike e Shqipërisë sillet si tek historia e akrepit me bretkosën. Ximas kujton historinë e akrepit për ata që nuk e dinë: “Akrepi i kërkoi bretkosës që ta kalonte në bregun tjetër të liqenit, se nuk dinte not. Bretkosa dyshuese i kërkoi t’i premtojë që nuk do ta helmonte, pasi të kalonte liqenin dhe akrepi e siguroi për këtë. Por në mes të udhëtimit, akrepi e goditi në shpinë me helm dhe bretkosa e frikësuar i tha: "Çfarë bëre, tani do të mbytemi të dy”!? Akrepi iu përgjigj: "E di, por nuk mundem ndryshe. Është në natyrën time".
Dhe Ximas vijon arsyetimin e tij me fjalët: “Kështu teksa Greqia lufton gjatë kryesimit të BE për të mbajtur në supet e saj Shqipërinë, gjatë rrugës së vështirë drejt Brukselit, liderët shqiptarë nuk e humbasin shansin për të hedhur helmin. Pak ditë më parë, papritur dhe për arsye të rivalitetit politik të brendshëm, për shkak të akuzave të opozitës mbi përfshirjen e qeverisë në trafikimin e drogës, ministri i jashtëm Bushati urdhëroi hetimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2009 për kufijtë detarë me Greqinë. Fajësoi ish ministrin e Jashtëm se nuk ka mbrojtur interesat kombëtare, gjatë caktimit të zonave detare me Greqinë, pra i dha armikut territore duke tradhtuar”.
Pra, sipas Ximas, nisur nga askund, dhe ndërkohë që diskutimet për çbllokimin e marrëveshjes dypalëshe janë në një fazë delikate, qeveria e Tiranës, me qëllim që të lëndojë opozitën, nuk heziton të kritikojë Greqinë, për synime grabitqare! Dhe kjo ndodh teksa Greqia vuri shpatullat, që Shqipëria të marrë statusin e lakmuar të vendit kandidat dhe pak ditë pasi Athina kishte bërë një "dhuratë" në çështjen e toponimeve në pasaporta, kundër viktimizimit të mijëra emigrantëve në kufi.
“Kanë të drejtë ata në Bruksel, që nuk i pranojnë fqinjët tanë të mirë në banesën e madhe evropiane, duke iu atribuar atyre dygjuhësinë dhe "djallëzitë e Ballkanit”? – Me këtë pyetje mbyllet editoriali i gazetës Kathimerini.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





