ATHINE- Rezoluta çame e dërguar në Parlamentin shqiptar është në qendër të analizës së gazetës greke “Kathimerini”, shkruar nga gazetari Stavros Ximas. “Pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha që i shtriu kufijtë e Shqipërisë nga Preveza në Podgoricë e më tej, nacionalizmi shqiptar përpiqet të vendosë çështjen çame në agjendën zyrtare të politikës së jashtme.
Partia për Drejtësi dhe Integrim dërgoi për miratim në Parlament një Rezolutë, ku akuzon Greqinë për genocid dhe spastrim etnik kundër çamëve në vitin 1944”, fillon shkrimin e tij gazetari. Ai kujton se një iniciativë e tillë është ndërmarrë dhe gjatë qeverisjes së Fatos Nanos dhe atëherë u votua kundër. Por gazetari vëren se gjërat tani janë krejtësisht të ndryshme. “Erërat e nacionalizmit, që kanë mbytur në gjak Ballkanin Perëndimor, forcojnë në Shqipëri idenë e ‘Shqipërisë Natyrale’.
Në të njëjtën kohë, po fiton terren në shoqëri ndikimi i partive politike dhe organizatave që mbajnë lart flamurin e nacionalizmit”, vijon analiza. “Ndërsa vendi është në orbitën e zgjedhjeve, elita tradicionale politike është nën presion të madh nga rrymat e "patriotike" dhe nga frika e humbjes së zgjedhjeve dhe nuk heziton të ndjekë vallen e rrezikshme të irredentizmit. Miratimi mundur nga Kuvendi i një rezolute me atë përmbajtje ose të ngjashme, do të çonte në skaje marrëdhëniet me Athinën, e cila insiston se çështja çame në Greqi nuk ekziston”, thuhet në editorial, ku citohet deklarata e ministrit të Jashtëm grek, sipas të cilit “Greqia dëshiron të shohë Shqipërinë dhe duke ecur përpara dhe do ta ndihmojë në në këtë drejtim.
Nëse në Tiranë dëshirojnë të shohin prapa, kjo është në dorën e tyre dhe ata duhet të mendohen mirë". Në fund autori kujton edhe premtimin e kryeministrit shqiptar Berisha, “për dhënien e shtetësisë gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë, nën platformën e "bashkimit kombëtar" të shqiptarëve në rajon, të cilën vetë ai promovon”.