TIRANE, 10 maj 2013– “Në listën e PD për Tiranën ka vetëm një katolik, ndërsa Durrësi, asnjë katolik; e njëjta gjë ndodh në PS, që ka ndonjë katolik më shumë në Tiranë në krahasim me PD-në, e në Durrës, me sa kam informacion, asnjë”, thotë Dom Gjergji në një shkrim të vetin të publikuar në Mapo, dhe nuk harron të saktësojë se merr për katolikë ata që duken të tillë në këndvështrimin onomastik.

Më pas bën me dije qëndrimin e tij për të mos u keqkuptuar:

“Nuk kam qenë ndonjëherë partizan fanatik i përkatësisë fetare në lista deputetësh apo ministrash, por sigurisht që një vëmendje e politikës ndaj kësaj ndjeshmërie nuk do të ishte e pavend. Nuk kam qenë partizan i një vendosjeje të këtyre listave (me përkatësi fetare) nga lart, pasi gjithmonë ekziston rreziku që vendosjet nga lart fshehin zgjedhje të qëllimshme e shpesh me motivacione jo fort të qarta.”

Dhe më poshtë:

“Nuk më duhen deputetë katolikë në parlament vetëm me emër, që pastaj nuk dinë apo nuk duan të mbrojnë një ligj për familjen, për jetën, që janë të korruptuar apo që përdorin pushtetin për qëllimet e tyre egoiste, ekonomike apo familjare, apo që janë të parët kur është puna për të kërcënuar e për t’u zënë me grushta midis parlamentit, apo për të gjetur zhargonin më të ndytë për t’iu drejtuar kundërshtarit. Ky përfaqësim mua si katolik nuk më hyn në punë, madje më turpëron. Më mirë pa ta!”

Për më tepër vijon Gjergj Meta:

“nuk do t’i mëshoja fort kësaj pike deri aty sa ta ktheja në një pretendim, nje condicio sine qua non…. Sigurisht kam qenë dhe jam për një përfaqësim të katolikëve në administrimin e jetës publike që zë fill nga vetë nisma e tyre e mbështetur komunitarisht, në bazë të cilësive të atyre djemve dhe vajzave që besimin e tyre në Zotin e vënë në dobi të së mirës publike, duke qenë si kripa e si drita që japin shije dhe dritë (Mt 5, 13.14) edhe pse jo gjithmonë shihen.”

Mund të shkoni e ta lexoni të plotë shkrimin në linkun  http://www.mapo.al/2013/05/10/katoliket-dhe-listat/