Pas rastit të arrestimit të infermierit të spitalit të Lezhës për shpërdorim detyre, deputeti i këtij qarku Eduart Ndocaj ka zhvilluar një vizitë blic në ambientet e spitalit.
Inspektimin e tij Ndocaj e ka nisur me pavionin e Pediatrisë ku ka konstatuar një sërë problematikash, për të cilat kërkon ndërhyrje emergjente nga ministri i Shëndetësisë Beqaj, përpara se të jetë tepër vonë.
Ndocaj, i njohur ndryshe si deputeti “kaubojs” ka ndarë me ndjekësit e tij në Facebook disa pamje skandaloze nga ky spital, duke nisur që nga dyshekët e palarë, mbajtëset e serumeve të ndryshkura, suvatime të shkatërruara, papastërtia në kulm etj. Bashkë me fotot që tregojnë mjerimin e spitaleve tona, Ndocaj thotë gjithashtu se ka zëra që thonë se doktorët e Lezhës i gjen kafeneve, dhe ekziston mundësia që ata të jenë nën efektin e alkoolit pas orës 11:00.
Statusi i deputetit Ndocaj
Dyshekë 20-vjeçarë të pa larë asnjëherë. Mund t’i shikoni edhe në foto. Në ato dyshekë duhet të shtrohen fëmijët. Imagjinoni pak sikur fëmijët tanë të shtrohen aty. Në ato kushte i gjetëm fëmijët që presin të shërohen.
Serumet dhe shiringat që mblidhen e hidhen, përdoren disa herë. Prindërit apo nënat marrin bombola gazi, e blejnë vetë qumështin për të ushqyer fëmijët e tyre. Krejt jashtë çdo lloj norme të ushqyeri si dhe të sigurisë. Për më tepër shikoni fotot.
Pastërtia linte shumë për të dëshiruar. Pra, normat e higjienës. Nënat i lajnë me dorë vetë rrobat e fëmijëve dhe i vendosin në ballkone për t’i tharë.
Diçka ishte më mirë në krahasim me pavionin e Pediatrisë.
Ndërsa tek pavioni i Pediatrisë gjetëm njerëz me paterica e me këmbë në allçi qe prisnin që në mëngjes radhën për të bërë vizitën.
Z. Ndocaj ka tre ditë që ka kërkuar të takojë Drejtorin e Përgjithshëm të Spitalit Rajonal Lezhë dhe nuk është e mundur, pasi në dy telefonata drejtori s’ka qenë i disponueshëm.
Po ashtu mjediset afër hyrjes së kuzhinës siç e shikoni në foto janë aspak të pranueshme.
Për spitalin e Lezhës ka zëra se mjekët i gjen në kafene dhe pas orës 11:00 të drekës nuk përjashtohet mundësia të kenë edhe doza të forta alkooli. Po ashtu, nuk mungojnë edhe raste të mungesës profesionale me pasoja të rënda.
Ministri i Shëndetësisë duhet të ndërhyjë për të ndryshuar situatën në Spitalin Rajonal të Lezhës para se të jetë vonë.





