1nentor 2015 – Tre ditë pas marrjes së mandatit, deputeti i Lezhës Eduart Ndocaj, i njohur ndryshe edhe si “Kaubojsi”, i ka bërë thirrje homologëve të tij të lënë një pjesë të pagës së tyre për bamirësi. Këtë deklaratë Ndocaj e bëri gjatë vizitës që pati në shtëpinë e 91-vjeçares së braktisur, Barbulla Pepa, shkruan Panorama.

“Ne duhet të bëjmë maksimumin që njerëz që jetojnë në kushte të tilla të mos i shohim më në këtë vend, pasi është një trishtim i vërtetë. Unë kam një apel për të gjithë koleget e mijë deputet që kanë mundësi financiare, që t'i ndihmojnë njerëz të tillë në zonat ku ata janë zgjedhur. Të paktën gjysma e pagës së tyre, duhet të shkojnë për humanizëm në këtë drejtim. Unë  kam qenë edhe më parë pranë njerëzve në nevoje, duke i ndihmuar ata dhe këtë do ta bëj edhe në të ardhmen”, u shpreh deputet i PDK-së.

E moshuara Barbulla Pepa vlerësoi ndihmat në ushqime të ndryshme në oborrin e banesës së saj. “Unë po gëzohem shumë për këtë ndihmë që ju po me jepni. Për mua nuk është kujtuar askush, nuk më është dhënë asnjë ndihmë. Më kanë lënë disa muaj edhe pa energji elektrike dhe vetem pas publikimit të rastit tim në media më është rikthyer energjia.” u shpreh Barbulla Pepa. 91-vjeçarja nga fshati Fang i Mirdites u bë personazh pak ditë më parë, pasi shteti i kishte ndërprerë energjinë e elektrike, duke e lënë në errësirë për rreth tre muaj, për shkak se ajo ishte debitore. Pas lajmit të publikuar në media, një biznesmen pagoi faturat e prapambetura të 91-vjeçares Pepa dhe asaj iu rikthyen dritat.

/portali DurrësLajm/