Edhe pse zgjedhjet e 7 majit u anuluan, në Kavajë zgjedhësit shfaqen të etur për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre në krye të Bashkisë. Duan të ushtrojnë të drejtën e votës, pa tensione. Larg presioneve të politikës të cilën kanë ditur gjithnjë ta mbështesin, por edhe t’i tregojnë vendin kur ajo i ka harruar e keqpërdorur. Të bindur te liria dhe vlerat e demokracisë, ata kërkojnë zgjedhje të reja, po me mundësinë e përballjes së alternativave, platformave qeverisëse vendore dhe vizionit të kandidatëve për zhvillimin e qytetit e fshatit.
Të lodhur nga vënia në qendër të vëmendjes së fundmi, qytetarët e Kavajës nuk e kanë humbur shpirtin e lirë e demokratik. Ndjejnë peshën e luftës së përditshme, luftës për të përballuar nevojat bazë dhe ato të sigurisë për jetën. Do të donin që gjithkush të trajtonte situatën reale të qytetit e banorëve të tij, larg qëndrimeve të njëanshme politike.
Ankthi për atë që mund të ndodhte në ditën e zgjedhjeve vendore u fashit bashkë me anulimin e procesit zgjedhor. Të përfshirë në aktivitetet e një dite të zakonshme, në qendër të bisedave të tyre mbetet sërish tema e zgjedhjeve, po larg përplasjeve politike të Tiranës ku Kavaja mbetet kryefjalë e diskursit politik.
“E keqja nuk do të vinte nga ne. Populli i Kavajës është i lidhur me njëri-tjetrin dhe situata është shumë e qetë”, shprehet një burrë në prag pensioni, po që prej 4 vjetësh nuk ka arritur ta marrë për shkak se nuk gjen zyrave dokumentacionin e humbur.
Një i dytë është i bindur se “po të bëhej protesta do të vriteshin njerëz, pasi shumë njerëz kanë pak të ardhura dhe o do të vjedhin, o do të vrasin.” Një tjetër flet edhe për shmangjen e një lufte. Të shumtë janë ata që mendojnë se vendimi i kryeministrit Rama ishte i duhuri. I matur e i drejtë, duke shmangur një ngjarje zgjedhore që mund të kthehej në tragjedi. Gjithçka u bë e paparashikueshme. Nuk dihej kush mund t’i provokonte turmat për të nxitur atë që shkaktoi frikë deri në tërheqje.
Anulimi i procesit të votimit sikur i ka çliruar të gjithë në qytet, po janë të bindur se bashkia e tyre duhet të shkojë në zgjedhje pa kaluar shumë kohë. Një kryetar në detyrë nuk mjafton. Situata e krijuar nuk u përshtatet. Duan të jetë i zgjedhur prej tyre në një proces të rregullt me të paktën dy alternativa, dy kandidatë në garën për bashkinë e qytetit të tyre.
“Kavaja është shumë demokratike. Ka shpirt demokrat…po zgjedhje do të ketë pasi ne kemi nevojë për një kryetar bashkie. Çdo qytet ka nevojë për një kryetar që ta drejtojë. Të fitojë më i miri”, thotë një banore e Kavajës.
Një tjetër banor i saj shprehet:
“Faktiktikisht duhet të ishte një ditë votimi ku në garë duhet të ishin dy kandidatë, pasi nuk mund të ketë zgjedhje pa PD-në dhe opozitën, ashtu si nuk mund të ketë zgjedhje dhe pa PS-në.”
“Nëqoftëse do të ishte dhe konkurenti demokrat do ishte më e fortë zgjedhja. Për votimet u bë shumë mirë që nuk u bënë, pasi Kavaja do të bëhej tmerr. Ndaj bravo i qoftë të dy politikanëve kryesorë Edi Rama dhe Lulzim Basha që u tërhoqën”, shton një tjetër qytetar kavajas.
Të kënaqur nga investimet e bëra vitet e fundit dhe që kanë përmirësuar dukshëm infrastrukturën e qytetit dhe periferisë së tij, mjaft qytetarë kërkojnë që ka ardhur koha për të ndryshuar politikat të cilat duhet të kenë në fokus mirëqenien e qytetarëve dhe fuqizimin e ekonomive familjare.
Beteja për Kavajën është e hapur. Priten rivalët dhe përplasja e platformave të ndryshme politike të zhvillimit. Akujt janë shkrirë. Frika për akte destabilizimi kaloi bashkë me vendimin për tërheqjen e kandidatit të vetëm dhe shmangjen e protestës masive të paralajmëruar nga opozita në Kavajë.
Cila do të jetë data më e afërt për përballjen e radhës në Kavajë, qytetin që me mençurinë e heshtur ka dhënë e jep leksione demokracie për të dyja partitë e mëdha në vend? Votuesit e heshtur e të mençur të Kavajës qëndrojnë në pritje. Madje dhe ata që janë të anëtarësuar në parti, kërkojnë një përballje te drejtë e demokratike. Ata do të dinë të zgjedhin më të mirin.
Vali Qyrfyçi





