·        “Kur ka qenë kryeministër, i mbushi zyrat në Kavajë me individë me precedentë penalë, madje edhe të dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave mbanin poste të larta drejtuese në administratën e Sali Berishës. Sot ata janë arratisur nga Kavaja për t’i shpëtuar drejtësisë”

DURRËS, 23 mars 2014 –  Partia Socialiste vendore e Kavajës përgënjeshtron Partinë Demokratike dhe kryetarin de fakto të saj, ish-deputetin e qytetit të demokracisë Sali Berisha lidhur me akuzat ndaj drejtorit të spitalit të Kavajës, kirurgut Agron Beu (në foto).

“Dega e Partisë Socialiste në këtë qytet deklaron me përgjegjësi të plotë se gjithë çfarë u deklarua nga PD janë të pavërteta dhe të pabazuara ligjërisht, madje tejkalojnë çdo normë të etikës dhe informimit me transparencë të opinionit publik.

Ndaj shtetasit Agron Beu, me detyrë aktuale drejtor i spitalit rajonal Kavajë nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor, lidhur me akuzën e korrupsionit dhe të asnjë akuze tjetër.

Në shkresën që tund para kamerave partia e deputetit, që iku me turp nga Kavaja, Sali Berisha, thuhet shprehimisht se prokuroria e rrethit gjyqësor Vlorë ka vendosur pushimin e çështjes ndaj z. Agron Beu, sepse e gjitha ishte një montazh politik.

Na duhet t’i kujtojmë ish-deputetit të Kavajës Sali Berisha, si autor i shpifjeve të njëpasnjëshme dhe përpjekjes së dështuar për të destabilizuar opinionin publik në Kavajë, se ka qenë ai, që, kur ka qenë kryeministër, i mbushi zyrat në Kavajë me individë me precedentë penalë, madje edhe të dënuar me vendime të formës së prerë të gjykatave mbanin poste të larta drejtuese në administratën e Sali Berishës.

Sot ata janë arratisur nga Kavaja për t’i shpëtuar drejtësisë.

Partia Demokratike dhe Sali Berisha janë burime të fyerjeve dhe shpifjeve për të krijuar pasiguri.

Partia Socialiste, bashkia dhe Qeveria jonë janë të vendosura për të rilindur me shpejtësi Kavajën e Shqipërinë, për të sjellë progres, siguri, inovacion”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/