KAVAJE, 9 prill 2013 – Arrestohen 5 persona, të punësuar pranë një biznesi privat në Kavajë. Burime pranë subjektit "Biba shpk" kanë bërë të ditur se efektiva të komisariatit të policisë së Kavajës kanë kryer raprezalje në mjediset e kësaj kompanie dhe kanë vënë në pranga 5 persona. Ata janë: Rajmond Biba, Hekuran Biba, Bujar Daja, Vath Tafa dhe Daut Skuqi.
Vellezerit Biba, pronarë të kompanisë, akuzojnë shefin e komisariatit të Kavajës si dhe shefin e krimeve për dhunim të kantierit dhe pezullimin e punës duke lënë më shumë se 50 vetë pa punë. "Arrestimet jane kryer pa asnjë urdhër ndalimi nga prokuroria e Kavajës, në kundërshtim flagrant me ligjin",- shprehet administratori i kësaj firme, Banush Biba.
Firma “Biba shpk” ushtron aktivitetin në fushën e inerteve dhe ndërtimit. Deri tani policia e Kavajës nuk ka dhënë asnjë sqarim për ndalimin e 5 personave, por vëllezërit Biba akuzojnë shefin e komisariatit Urim Rexhepi se e ka ndërmarrë këtë valë presioni ndaj kompanisë së tyre për përfitime personale.
Kantieri është rrethuar nga forca të shumta policie dhe asnjë person nuk lejohet të futet në të.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





