Kavajë, 13 korrik 2014 – Një 29-vjeçare sllovene dyshohet se është rrëmbyer dhe është mbajtur peng për 8 muaj në Shqipëri, në një kompleks në Kavajë. 

Mojca Vlado Jakop dyshohet se është mbajtur peng për 8 muaj nga bashkëkombësi Peter Petrovic Matliev. 

Policia e Kavajës arriti të lirojë 29-vjeçaren, e cila u gjet në gjendje të mirë shëndetësore. Menjëherë në vendngjarje u nis edhe zëvendës ambasadorja sllovene e akredituar në Tiranë.

Nërkohë banorët e zones që ishin dëshmitarë dhe i kishin parë të dy shtetasit sllovenë, thanë se nuk kishte shenja për rrëmbim. Sipas dëshmitarëve, të dy shtetasit hynin dhe dilnin lirisht nga banesa. 

Shtetasi 46-vjeçar që kreu pengmarrjen është shpallur në kërkim për "Heqje të paligjshme të lirisë", ndërkohë që vazhdojnë hetimet.

Shtetësja sllovene ka bërë denoncimin nëpërmjet një mesazhi, i cili vuri në lëvizje INTERPOLIN.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/