Kavajë, 11 prill 2014 – Një 16-vjeçare është dhunuar nga babai i saj pasi ndërhyri për të shuar sherrin mes prindërve. Ngjarja ndodhi dje në fshatin Kërçukaj të Kavajës kur Astrit V., 45 vjeç dyshohet se dhunoi babarisht vajzën dhe bashkëshorten e tij. Konflikti nisi për motive xhelozie mes bashkëshortëve. Pas fjalëve fyese të ndërsjella, 45-vjeçari nisi të godiste gruan e tij R.V, 43 vjeçe.
Për të shpëtuar të ëmën, e cila po dhunohej me grushta nga babai saj, 16-vjeçarja L.V ndërhyri duke tërhequr prej krahu të atin pa e ditur se do të binte pre e dhunës. “Ju të dyja jeni njësoj, mbroni njëra tjetrën” mësohet t’i jetë drejtuar vajzës së tij 45-vjeçari duke e dhunuar edhe atë me grushta ndërsa e ka tërhequr zvarrë prej flokësh.
Policia e njoftuar për ngjarjen mbërriti menjëherë në banesë duke kryer arrestimin e 45-vjeçarit. Ndaj dy të dhunuarve u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





