Një 35-vjeçar nga Kavaja është arrestuar pasi shantazhonte të dashurën e tij por dhe familjarët e saj, se do të publikonte foto intime të tyret, nëse nuk do i jepnin 200 mijë lekë të rinj.
Mentor Leçini kishte qenë i lidhur me 17-vjeçaren R.K., të cilës i kishte bërë foto intime. Jo vetëm kaq, por gjatë kohës që qëndronte me të, ai kishte arritur të shtinte në dorë foto intime edhe të familjarëve të saj.
Pas ndarjes, Leçini kërcënonte vëllain e ish-të dashurës adoleshente se nëse nuk i jepnin një shumë të caktuar parash, këto imazhe do t’i bënte publike.
“Leçini ka përfituar gjatë kohës që ka qënë në një lidhje intime me shtetasen R. K., 17 vjeçe, të cilës i ka bërë disa foto intime dhe gjatë kohës që ka qenë në banesën e saj ka arritur të sigurojë dhe foto intime të pjesëtarëve të tjerë të familjarëve të shtetases R. K. Prej disa javësh, Mentor Leçini, kërcënonte vëllain e R. K, se nëse nuk i dorëzonte shumën monetare prej 200.000 lekësh të rinj, do publikonte fotot intime që ai kishte arritur të bënte”, sqaron policia në njoftimin e saj zyrtar.
Kjo është historia që vjen nga qyteti i Kavajës, që ka çuar në arrestimin e 35-vjeçarit, një emër i njohur për autoritetet pasi rezulton i dënuar më parë për vjedhje me pasojë vdekjen, në bashkëpunim.
Gjatë arrestimit, 35-vjeçarit iu gjetën 100.000 lekë të rinj, si dhe një aparat telefonik, të cilat ia kishte dhënë vëllai i 17-vjeçares për mos publikimin e fotove.





