NGA BEHGJET PACOLLI

Disa media të Kosovës, duke iu referuar mediave serbe, përcollën një falsifikim të deklaratave të një takimi normal diplomatik midis Presidentit të Kazakstanit Nursultan Nazarbajev dhe atij serb Nikoliç. Sipas këtij falsifikimi, Presidenti Nazarbajev paska thënë se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe se do ta ndihmojë Serbinë që Kosova të mos anëtarësohet në UNESCO.

Pse e them se ishte falsifikim?

Së pari duke u mbështetur nga krahasimi i lajmit në mediat kazake me ato serbe dhe ruse del se lajmet janë kundërthënëse. Në mediat kazake (zyrtare), në njoftimet për këtë takim, nuk ka asnjë fjali si këto që transmetohen nga mediat serbe. Në fjalimin e Presidentit Nazarbajev ka deklarime të rëndomta për bashkëpunim ekonomik midis Kazakistanit dhe Serbisë, etj.

Mediat serbe si dhe disa media të Kosovës, që bazohen vetëm në mediat serbe dhe transmetojnë lajmin e shtrembëruar pa asnjë verifikim.

Së dyti, unë jam i bindur se nga sa e njoh unë personalisht, Presidenti Nazarbajev nuk i ka thënë këto fjali. Ky lajm që emetuan mediat serbe, të riprodhuara nga disa media të Kosovës, është një manipulim me mikpritësin. E imagjinoj sesa shumë është goditur Nikoliç nga bukuria e Pallatit Presidencial në Astana, e ndërtuar nga shqiptarët, apo nga zhvillimi i kryeqytetit kazak për të cilin ka folur publikisht fjalë të mira.

Presidenti Nazarbajev është kryetari i një shteti ku punojnë dhe jetojnë 10 mijë shqiptarë, që kanë kontribut të madh në përparimin urban të kryeqytetit që e ka impresionuar aq shumë Nikoliçin.

Kazakistani është shteti i parë në këtë anë të botës që i ka njohur pasaportat e vendit tonë dhe ka dhënë vazhdimisht shenja miqësie ndaj kosovarëve.

Për më shumë Presidenti Nazarbajev është i vendosur të zhvillojë marrëdhënie ekonomike, kulturore, etj, me Shqipërinë, ashtu si edhe u konfirmua në vizitën e fundit të kryeministrit Rama në Astana vitin e shkuar apo në takime të tjera diplomatike mes përfaqësuesve të të dy shteteve.

Unë e kuptoj dëshpërimin që ka kapur Serbinë nga integrimi i mëtejshëm ndërkombëtar i Kosovës. Anëtarësimi në UNESCO është vetëm hap i fundit në radhën e hapave të këtij integrimi që Serbia dëshiron ta bllokojë.

E kuptoj edhe maninë për protagonizëm diplomatik të Presidentit Nikoliç, i cili ka dashur të lobojë edhe në Kazakistan për këto qëllime, por Kazakistani, për shumë arsye, nuk është vendi, ku Serbia mund të ketë sukses në objektivat e veta, e unë jam dikush që e di mirë këtë.

Marrë nga statusi në llogarinë në FB