Nëse Gjermania, Argjentina dhe Brazili nuk kishin skuadra të denja për të triumfuar në Kupën e Botës, natyrisht që nuk është e nevojshme të gjenden justifikime për dështimin.Por rastësia që e lidh zhgënjimin e tre prej skuadrave favorite, nuk mund të anashkalohet. “Seleçao” u eliminua në çerekfinale nga Belgjika, pas humbjes 2-1 në “Kazan Arena”.Bëhet fjalë për të njëjtin stadium, nga ku më parë gjatë aktivitetit në Rusi ishin eliminuar edhe Gjermania dhe Argjentina.

Kampionët e botës u mposhtën në mënyrë të befasishme pikërisht në këtë impiant nga Koreja e Jugut me rezultatin 2-0.Humbje që i shkaktoi “Panzerave” eliminimin prej fazës së grupeve, për herë të parë në historinë e përfaqësueses.

Fat të ngjashëm kishte edhe Argjentina, që në Kazan u eliminua përpara kohe, por këtë herë me një kundërshtar vërtetë të fort si Franca.Bardhekaltrit u mposhtën 4-3 në fazën e 1/8 dhe u kthyen në shtëpi mes zhgënjimit kolektiv për Lionel Messin dhe akuzave për trajnerin Sampaoli, i cili e humbi kontrollin e skuadrës prej ndeshjeve në grupe.

Brazili ishte thjesht viktima e radhës e Arenës së Kazanit, që u konfirmua si një vrasëse e ekipeve të mëdha, ndërsa koicidenca ka vendosur edhe një rekord absolut. Me Gjermaninë, Argjentinën dhe tashmë brazilianët të eliminuar në këtë stadium, për herë të parë në historinë e Kupës së Botës ndeshjet gjysmëfinale do të luhen pa prezencën e njërës prej këtyre skuadrave.