Durrës, 26 shkurt 2014– Familja Kazazi është një nga familjet e vjetra durrsake. Sigurisht që sapo dëgjon këtë mbiemër të vjen së pari në mendje emri i një prej pinjollëve të saj që ka jetuar në shekujt XIX dhe XX, Sefer Efendiu Kazazi. Në fakt ai njihet më shumë vetëm me emrin Sefer Efendiu, ndërkohë që është figura e parë e shquar e familjes së vjetër të qytetit të Durrësit. Jo më kot që në hyrje të rrugicës në krah të gjykatës së Durrësit, e cila ngjitet sipër drejt kodrës, është vendosur pllakati me emrin "Rruga Sefer Efendiu" së bashku me foton e ish kolonelit të ushtrisë turke, i cili do të luante një rol kyç në ngritjen e flamurit në Durrës dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. E gjithë lagjja nr 2 më shumë njihet si lagjja "Sefer Efendiu", për shkak të ndikimit tepër të fuqishëm të kësaj figure në një nga ngulimet e vjetra të familjeve durrsake në fillim të shekullit XX.

 

Kush ishte Sefer Efendiu?

Sefer Efendiu ka lindur në Tiranë në vitin 1857. I ati i tij, Mahmud Kazazi, ka qenë oficer madhor në ushtrinë e perandorisë turke. Sigurisht që preferenca e të atit në lidhje me ushtrinë, do të kalonte edhe tek i biri, i cili që në moshën 14 vjeç regjistrohet në shkollën e oficerëve në Stamboll. Frekuentimi i kësaj shkolle erdhi më shumë si pasojë e këmbënguljes së Seferit, i cili shumë shpejt dallohet për aftësi të jashtëzakonshme. Pas katër vitesh, ai dërgohet si komandant garnizoni në Mostar të Bosnjes, vend në të cilin ai u martua. Disa vite pas shërbimit të tij në Bosnje, ndodh edhe një ngjarje që do të tregohej për shumë vite me radhë. Në këtë kohë Sefer Efendiu ishte graduar me gradën e kolonelit të ushtrisë turke. Në një nga mbrëmjet e zakonshme të Mostarit, kolonel Sefer Efendiu shkon si zakonisht në një nga kafenetë e preferuara. Aty ai nis të këndojë një këngë shqip duke i kërkuar edhe orkestrës që ta shoqërojë, por një diplomat turk ironzon kolonelin duke i thënë "pis arnaut" se nuk ekziston asnjë Shqipëri. Sefer Efendiu menjëherë i kërkon duel turkut dhe këtij të fundit i fluturon koka nga shpata e kolonelit me gjak shqiptar. Nipi i Seferit, Rauf Kazazi, i cili është "Mjeshtër i Merituar i Sportit", i kujton të gjithë këto detaje nga tregimet që i ka rrëfyer i ati i tij Hamdi Kazazi. Në kohën që gjyshi i tij me emër, Sefer Efendiu vdiq në vitin 1924,Rauf Kazazi nuk kishte lindur. Ai do të lindte pas dhjetë vitesh. Ngjarja në kafenenë e Mostarit bëri shumë bujë dhe autoritetet turike e dënuan atë me vdekje. Për këtë ngjarje, e ëma e Seferit, Sabrija, e cila ishte me origjinë arabe nga Lindja e Mesme, shkon në vendlindje merr të gjithë pasurinë që kishte atje me të vetmin qëllim që të shpëtonte djalin e saj nga vdekja. Ajo rridhte nga një familje mjaft e pasur dhe ishte betuar që të shpëtonte nga vdekja djalin e saj që e kishte si dritën e syve. Ndërkohë që pritej dita e gjyqit, ajo arrin që të sigurojë një takim me Sulltanin, duke i kërkuar atij që t'i falte jetën e të birit. Kjo gjë u bë e mundur me ndihmën që i dha për takimin Gani Toptani, i cili ishte adjutant i Sulltanit dhe pjesë e familjes së vjetër Toptanase, me të cilën ishin pothuajse ngjitur në Tiranë. Kërkesa u pranua nga Sulltani, por Sefer Efendiu u dënua me burgim të përjetshëm. Ai do ta vuante dënimin në një burg në shkretëtirën e Çadit në Afrikën e Veriut. Seferi kishte edhe një motër dhe vëlla tjetër. Në burgun që gjendej në mes të shkretëtirës, ai arri të arratiset së bashku me një shqiptar nga Kosova që quhej Vesel. Për shkak të ecjes në shkretëtirë për disa ditë rresht ata bien pa ndjenja dhe vdekja ishte shumë pranë. Për fatin e tyre, një ekspeditë angleze që kalonte rastësisht në vendin ku ata kishin mbetur, i merr me vete në Angli. Nga ky vend Seferi vendos të kthehet në Shqipëri, kurse Veseli qëndron aty.

 

Dashuria për punën dhe bujqësinë

Gjatë kohës që ka qëndruar në burgun e Afrikës së Veriut, Seferi mësoi shumë punët e bujqësisë, mësoi hapjen e puseve dhe sidomos punimet në vegjë, në të cilat nuk e kalonin as pesë gra së bashku. Këtë eksperiencë të fituar atje, e vuri në shërbim të kodrës që bleu në qytetin e Durërsit sapo u kthye pas disa vitesh mungesë. Ndërkohë nga martesa e parë ai pati dy vajza, pasi gruaja boshnjake kishte vdekur gjatë kohës që ai ishte në burg. Me martesën e dytë me grua shqiptare do të kishte edhe tre fëmijë të tjerë: dy vajza dhe një djalë. Në kohën që Seferi bleu kodrën në qytetin e  Durrësit, ajo ishte e mbuluar me ferra dhe pemë të shumta, duke të sjellë në mëndje një xhungël të paeksploruar. Shumë shpejt ai vuri në punë rreth 35 punëtorë, me të cilët punonte vetë çdo ditë, hapi puse, mbolli pemë dhe sidomos manat për kultivimin e krimbit të mëndafshit. Fshikëzat e krimbit të mëdafshit merreshin dhe dërgoheshin jashtë vendit, ku kishte kërkesë të madhe për to. Shumë shpejt kodra u bë një fermë madhështore, ndërkohë që shumë parcela toke iu dhuruan njerëzve të ndryshëm të cilët ndërtuan shtëpi. Nga aktiviteti i tij në bazë të dokumentave të kohës thuhet se Sefer Efendiu paguante si taksë qeraje për tokën dhe tatimin e fitimit një shumë prej 335 napolona flori çdo vit. Shërbimi i tij në këtë zonë bëri që shumë shpejt aty të vendosen familje të rregullta dhe të ndershme, aq sa kjo traditë do të vazhdonte për shumë vite në lagjen "Sefer Efendiu". Për shkak të emrit që mbante, lagjja dallohej për statistika shumë të ulta të krimeve, vjedhjeve dhe veprave të ndryshme penale. Një gjë e tillë pohohej edhe nga zyrtarë të policisë së qytetit në vitet e diktaturës, të cilët shpreheshin se "aty nuk ka vjedhje dhe krime, se është lagjja e Sefer Efendiut".

 

Atdhetar i flaktë, pinjoll i parisë së qytetit

Pas ardhjes në qytetin e Durrësit ai u lidh menjëherë me patriotët vendas që kishin filluar përgatitjet për çlirimin nga zgjedha turke. Ngjarjet e vitit 1890-1900 kanë patur në qendër të vëmendjes edhe aktivitetin e Sefer Efendiut. Tre doganierët e Durrësit, Abaz Çelkupa, Hysen Kryetani dhe Kristaq Rama, mbanin kontakte me ushtarët e perandorisë turke që sillnin abetare, revista dhe gazeta të cilat shpërndaheshin më pas në Tiranë, Krujë, Durrës, Peqin etj. Një nga këta persona kontakti ishte edhe Sefer Efendiu. Ai nuk mund ta pranonte dot që në vendin e tij nuk kishte gjuhë shqipe, pasi ai e kishte dëshmuar para disa vitesh kur vrau diplomatin turk për këngën në shqip. Në prag të Pavarësisë së vendit, roli i Sefer Efendiut së bashku me patriotë të tjerë, është vendimtar. Në librin e Sali Hidrit me titull "Durrësi 1900-1939" midis të tjerash thuhet: "në mbledhjen e Aktpërfaqësimit mbahet procesverbali dhe ai nënshkruhet nga 31 përfaqësues zyrtarë të popullit të Durrësit. Këtu veçojmë mjekun e bashkisë Neki Libohova, (kryetari funksional i klubit Bashkimi), kryetari i bashkisë së Durrësit afiz Ali Podgorica, nga paria e qytetit Sefer Efendi Kazazi, tregtari  dhe patrioti Sabri Dermani dhe nga mjeshtri Usta Hajdari". Bëhet fjalë për mbledhjen që parapriu në ngritjen e flamurit në qytetin e Durrësit. Pas shpalljes së Pavarësisë, në Durrës filluan të qartësohen pikpamje dhe rryma të ndryshme politike. Bëhet fjalë për ato që u shfaqën në vitet '20, ku Sefer Efendiu bashkohet me patriotë të tillë si Avni Rustemi dhe prefektin e Durrësit Avdyl Ypi. Vrasja e prefektit të Durrësit Avdyl Ypi në janar të vitit 1920 është denoncuar në atë kohë nga Sefer Efendiu dhe patriotët e tjerë, të cilët akuzuan Sulejman Merlikën, kushëririn e afërt të Mustafa Krujës, për këtë krim të shëmtuar.

 

Ndihma që dha për ushtrinë greke familja Kazazi në konfliktin me Italinë në 1940

Sefer Efendiu kishte vetëm një djalë, Hamdiun. Ai lindi në vitin 1900 dhe edukohet me frymën atdhetare nga i ati. Në demostratat që kishin filluar që në vitin 1920, ai plagoset rëndë nga italianët. Pak nga pak kishin filluar të shfaqeshin hapur interesat e Italisë për kolonizimin e vendit dhe plani ishte që në Shqpëri të vendoseshin 4-5 milion italianë. Patriotë të shumtë kundërshtuan këtë inisiativë, midis tyre edhe Sefer Efendiu dhe sidomos djali i tij, Hamdi Kazazi. Rezistenca jo e vogël u duk në fakt edhe në 7 prill të vitit 1939. Familja Kazazi ishte ndër të parat që përkrahu lëvizjen antifashiste, qysh me pushtimin e vendit nga Italia. Një element mjaft domethënës është mbështetja që kjo familje ka dhënë për ushtrinë greke në konfliktin italo-grek në vitin 1940 dhe sidomos për eksponentë të lartë grekë. Bëhet fjalë për Stefan Papagjikën, një eksponent i shërbimit të fshehtë të ushtrisë greke, i cili vinte vazhdimisht në Durrës për të marrë informata dhe të dhëna rreth lëvizjeve dhe numrit të ushtrisë italiane. Në të gjithë aktivitetin e tij në Durrës, ai është ndihmuar shumë nga familja Kazazi. Por ndihma e kësaj familje ka konsistuar edhe në ndihma në ushqime dhe armë për ushtarët grekë që ishin në front në Përmet, madje përveç familjes Kazazi, ka qenë edhe familja Leka që dha 45 mijë napolona flori për ushtrinë greke. Këto janë fakte mjaft domethënëse, të cilat hedhin poshtë tezat e një pjese të historianëve grekë, se në konfliktin italo-grek në vitin 1940, shqiptarët kanë bashkëpunuar me italianët. Më pas familja Kazazi është ndër të parat që mbështeti lëvizjen antifashiste. Hamdi Kazazi aktivizohet që në shkurt të vitit 1942 duke u zgjedhur shumë shpejt kryetar i këshillit nacionalçlirimtar të lagjes nr 2 në Durrës. Në 6 qershor 1943 ai rezulton anëtar i këshillit nacionalçlirimtar për qytetin e Durrësit, dokumenta këto që vërtetohen nga Arkivi i Shtetit. Më pas Hamdiu bashkëpunon me Shyqyri dhe Myslim Pezën, duke marrë pjesë në disa nga betejat që çeta e Pezës zhvillon ndaj italianëve. Hamdi Kazazi vdiq në vitin 1982 në moshën 82 vjeçare. Ai ka tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë. Pinjolli që do të vazhdonte historinë e fëmijes së njohur, është Rauf Kazazi.

 

Dashuria për sportin

Lidhja me sportin e Rauf Kazazit, i cili në Durrës thirret shkurt "Ruf", ka filluar herët dhe në disa aspekte. Ai ka kontribuar si vullnetar në ngritjen e terreneve sportive, si mësues i edukimit fizik, si trainer dhe si sportist duke dalë kampion kombëtar në vitet 1957 dhe 1958 në hedhje çekiçi, disku, ngritje peshe etj. Që në moshën 12 vjeç, Rufi merr pjesë si ndërtues me punë vullnetare në parkun sportiv të qytetit të Durrësit. Puna për ngritjen e parkut sportiv drejtohej nga profesori i nderuar Luigj Shala, i cili thoshte me mjaft të drejtë se: "më mirë të kemi terrene sportive, sesa mësues të edukimit fizik pa terrene sportive'. Për disa kohë Ruf Kazazi është marrë me ndërtimin  e rreth 19 terreneve sportive në shkolla të ndryshme të qytetit të Durrësit. Fillimisht me restaurimin e pistës së atletikës të stadiumit "Niko Dovana". Në këtë pistë janë hedhur fillimisht 400 kamionë me dhe të kuq si dhe 40 traktorë me gëlqere të pashuar. Më pas është vazhduar në rrethimin me hekura të stadiumit, ku ka patur një bashkëpunim të mirë me metalurgjinë në Elbasan. Aktiviteti i Ruf Kazazit është mjaft i ngjeshur edhe si mësues i edukimit fizik, për të cilin ai është vlerësuar me Urdhërin ”Naim Frashëri” të Klasit të Dytë. Në të gjithë shkollat ku ai ka dhënë mësim në lëndën e edukimit fizik, nxënësit dilnin me rezultate të larta, kanë qenë fitues të spartakiadave dhe aktiviteteve të ndryshme sportive. Si trainer Ruf Kazazi ka përgatitur mjaft atletë që kanë marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare. Ekipet e qytetit të Durrësit në çekiç, disk, gjyle, shtizë etj, merituan vende të larta në një aktivitet që u zhvillua në Kinë në vitin 1974. Nga puna e shkëlqyer në repartin e hedhjeve, vite më vonë doli edhe kampionia e botës, Mirela Manjani. Ajo është përgatitur fillimisht në repartin e hedhjeve, ndërsa më vonë u specializua për hedhjen e shtizës. Rufi shprehet se hedhja e shtizës ka shumë elementë, pavarësisht se duket e thjeshtë në pamje të parë. Një ndihmë të madhe në evidentimin e Mirelës ka dhënë edhe traineri i saj Enver Mysja, i cili konsultohej shumë me Ruf Kazazin. Si sportist në moshën 23 vjeç, Rauf Kazazi shpallet kampion kombëtar me ekipin e Partizanit në vitet 1957 dhe 1958. E veçanta e tij ishte se ai garonte në shumë disiplina njëherësh, por që ato futeshin në repartin  e hedhjeve. Edhe në ngritje peshash ka shkëlqyer për shumë kohë, pasi vetëm me një javë stërvitje, arriti të dilte kampion. Jo rastësisht ,në Superanketën e gazetës “Sporti Shqiptar” të datës 16 janar 1998 Ruf Kazazi përfshihet në 10 sportistët më të mirë të viteve 1957-1997. Megjithëse rezultatet e larta nuk mungonin, edhe Ruf Kazazi do të ndiente veprimin djallëzor të spiunëve që shpifnin vend e pa vend për ta dënuar atë. Qëllimi ishte që ai të mos shkonte jashtë vendit në turnetë e ndryshme sportive, duke nxjerrë si pretekst se vëllai i Rufit (Veseli) ishte në Australi dhe nuk u kthye në Shqipëri deri sa vdiq. Pengesa të tilla ka patur në vitet 1955-1958 dhe këto bënë që Ruf Kazazi të mos kishte rastin për të regjistruar rezultate më të larta.

 

Masakrimi i kodrës dhe vjedhja e pronave

Pas rënies së sistemit monist, kodra  "Sefer Efendiu" filloi të pushtohej nga ndërtimet. Koha kur ajo filloi të masakrohej nis që në vitin 1992 dhe për pesë vjet me radhë, në kodër nuk mbeti asnjë pëllëmbë tokë e lirë. Familja e vjetër durrsake pretendon se ka shumë prona në këtë kodër, e kjo ka bërë që familja të nisë procese të pafundme gjyqësore, të cilat shumë pak janë zgjidhur në favor të kësaj familje. Me njëfarë pikëllimi Ruf Kazazi shprehet se: "nuk do të më vinte aspak keq që këto troje të përdoreshin për ndërtimin e kopshteve, shkollave apo spitaleve. Më vjen shumë keq që tokat e familjes time janë marrë nga hajdutë dhe njerëz pa moral që tani janë pasuruar në kurriz të familjes tonë". Para shtëpisë trekatëshe, Rufi, i cili tashmë është pensionist, ka një bahçe të mrekullueshme. Aty ka mbjellë shumë pemë, ndërsa në një cep ka një pus të zbukuruar më së miri. "I kam shumë qejf puset thotë ai, edhe gjyshi (Seferi) ishte mjeshtër në hapjen dhe ndërtimin e tyre. Nga mëngjesi deri në darkë rrinte në pus kur kishte punë", shprehet 74 vjeçari, Mjeshtri i Merituar i Sportit Rauf Kazazi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/